Komuna e Podujevës, përmes një komunikate ka dënuar aktin e dëmtimit të pronës publike, të kryer nga person të panjohur gjatë natës mes 11 dhe 12 gushtit, të cilët kanë shkarravitur muret e objektit të administratës komunale.
Sipas kumtesës së Komunës, persona të panjohur në natën mes 11 dhe 12 gushtit 2017 kanë dëmtuar pronën publike, duke shkarravitur muret e objektit të Komunës së Podujevës me grafite me përmbajtje të ulët.
“Grafite dhe shkarravitje të tilla në pronën publike janë bërë edhe në trotuare dhe hapësira të tjera publike në qytet.
Duke i vlerësuar të ulëta dhe primitive aktet e tilla, Komuna e Podujevës vlerëson se pavarësisht kush mund të jenë autorët dhe porositësit e këtyre grafiteve, gara politike nuk bëhet me shkarravitje të mureve dhe grafite të ulëta e fyese, por në forma e mënyra demokratike në vendet e dedikuara për debate e prezantim të platformave dhe programeve politike.
Komuna e Podujevës kërkon nga organet e rendit që të ndërmarrin masat e duhura që të zbulojnë aktorët e këtyre grafiteve dhe t’i nxjerr para drejtësisë”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/