Komuna e Podujevës përmes një reagimi publik ka demantuar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, lidhur me numrin e personave të infektuar me COVID-19 në këtë komunë.
Në reagimin e Komunës së Podujevës thuhet se në 24-orët e fundit janë regjistruar vetëm dy raste pozitive me COVID-19, e jo gjashtë siç thotë IKSHPK, transmeton Telegrafi.
“Bazuar në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, lidhur me rastet e reja me COVID-19, sot në Komunën e Podujevës kemi vetëm dy raste pozitive, e jo gjashtë, siç paraqiten në njoftim. Katër personat e tjerë nuk janë nga Komuna e Podujevës, por punonjës dhe të burgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gerdoc”, thuhet në reagim.
Ndryshe, IKSHPK ka njoftuar se në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 99 raste me COVID-19, kurse janë shëruar 152./Telegrafi/