Site icon Telegrafi

Komuna e Podujevës apelon te qytetarët të respektojnë rekomandimet për parandalimin e COVID-19

Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës, ka mbajtur sot mbledhjen ku ka vlerësur gjendjen epidemiologjike në komunë dhe masat e ndërmarra, pasi edhe dy persona kanë rezultuar pozitivë me këtë virus në këtë komunë.

Në këtë takim u diskutua për personat të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, të cilët janë nga Llapashtica e Podujevës, ku nënkryetari i komunës, Nexhmi Rudari bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndettit të tyre dhe familjarëve të tyre.

“Në takimin e sotëm, të cilin e udhëhoqi nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, u tha se dy personat të cilët të hënën kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, janë me vendbanim në Podujevë dhe Llapashticë. Lidhur me këto dy raste janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të tyre, të familjeve të tyre, me ç’rast janë bërë vizitat nga ekipi mjekësor dhe është bërë dezinfektimi i shtëpive”, thuhet në komunikatën për medie.

Po ashtu, në këtë mbledhje janë ngritur shqetësimet për një ceremoni mortore në Komunën  e Podujevës, ku është konstatuar se kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i personave.

“Gjatë takimit u tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për aplikimin e masave mbrojtëse dhe kufizimit të lëvizjes së qytetarëve. Komandanti i Stacionit Policor ngriti si shqetësim rastin e një ceremonie mortore, kur është konstatuar se përveç familjarëve në varrim kanë marrë pjesë edhe një numër i konsiderueshëm personash të tjerë. Shtabi Emergjent apelon te qytetarët që të respektohen vendimet dhe rekomandimet e bëra edhe më herët dhe në raste të tilla varrimet të bëhen vetëm nga rrethi i ngushtë familjar me qëllim të ruajtjes së shëndetit, si dhe të mos organizohen të pame”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, komuna  u bën thirrje qytetarëve që të shmangin shkuarjen në iftar tek të afërmit, dhe bën të ditur se nga e mërkura filloj shpërndarja e pakove ushqimore për familjet në nevojë.

“Gjithashtu kërkohet nga qytetarët që, pavarësisht se jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, të shmangin shkuarjen në iftar dhe vizitat te të afërmit. Në takim u bë e ditur se nga e mërkura, 29 prill, fillon shpërndarja e 500 pakove të para ushqimore për familjet në nevojë, si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19, të siguruara nga buxheti i Komunës së Podujevës”, thuhet në komunikatë. /Telergafi/

 

Exit mobile version