Telegrafi

​Komuna e Mitrovicës zë vendin e parë në nivel vendi për mjedis të pastër

Komuna e Mitrovicës, është radhitur e para në nivel të Kosovës me gjithsej 80 pikë për performancën më të mirë në kuadër të Grantit të Përformancës – Mjedisi i Pastër.

Sic njofton kumtesa ministrore, ky grant është ndarë për komunat të cilat u janë nënshtruar tri kritereve të qasjes si dhe janë vlerësuar për tre indikatorë të qeverisjes së mirë, të nxjerra nga sistemi i menaxhimit të përformancës komunale në MAPL si dhe tetë indikatorë të menaxhimit të mbeturinave.

Komuna e Mitrovicës në raundin e dytë të skemës së grantit të përformancës – Mjedisi i Pastër pas procesit të vlerësimit të kritereve dhe indikatorëve të përformancës është radhitur në mesin e komunave fituese me vendin e parë duke u shpërblyer me grant në vlerë prej 235.647.00 euro.

Me këtë rast, kryetari Agim Bahtiri, falënderon përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe të GIZ-it gjerman që Mitrovicën e kanë radhitur në vendin e parë për nga performanca mjedisore.

“Mitrovica me shumë meritë është radhitur e para, falë punës dhe përformancës së lartë. Ne çdo ditë e me shumë po punojmë për një Mitrovicë të pastër e të ardhme evropiane për të gjithë qytetarët e saj”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.