Me kërkesë të kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, dhe drejtuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, sot është mbajtur mbledhja urgjente e Kuvendit të Komunës, seanca e 37-të.
Në këtë mbledhje pikë e vetme e rendit të ditës ishte Propozim vendimi për rialokimin/transferin e mjeteve financiare nga fondi rezervë.
“Me këtë rast, zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu, ka njoftuar asamblistët lidhur me shkresën e Ministrisë së Financave për shfrytëzimin e mjeteve të ndara në kategorinë e shpenzimeve të fondit rezervë, që ka qenë i paraparë për mbulimin e obligimeve me rastin e aprovimit të ligjit të pagave në sektorin publik, e meqë ky ligj nuk hyri në fuqi, nga shuma e përgjithshme e ndarë për komunat e Kosovës, Komuna e Mitrovicës ka përfituar 1.5 milionë euro.
Ku pas disa diskutimesh, kjo pikë më shumicë votash është miratuar nga asamblistët komunal, me ç’ rast 240 mijë janë destinuar për Drejtorinë e Mirëqenies Sociale, ku 120 mijë euro do të ndahen për të porsalindurit, duke i subvencionuar me nga 100 euro çdo grua që ka lindur në vitin 2020, ndërsa shuma tjetër do të ndahet për pagesa të qirasë së banimit të familjeve me asistencë sociale, 50 mijë euro për Drejtorinë e Shëndetësisë dhe pjesa tjetër do të destinohet për investime kapitale”, thuhet në njoftimin për media. /Telegrafi/