Telegrafi

Komuna e Mitrovicës ndan nga 2 mijë e 500 euro për familjet e prekura nga vërshimet

Këtë të enjte janë ekzekutuar mjetet financiare për familjet e prekura nga vërshimet në Mitrovicë.

Komuna e Mitrovicës ka ndarë nga 2 mijë e 500 euro për 186 familjet e prekura nga vërshimet.

Lajmin e ka bërë të ditur Drejtoresha e Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Igballe Islami.

“Bazuar në propozimin e kryetarit Bedri Hamza dhe vendimin e asamblesë komunale për ndarjen e 2 mijë e 500 eurove për ekonomitë familjare që kanë pësuar dëme si pasojë e vërshimeve të janarit në Komunën e Mitrovicës, pas pranimit të listës nga komisioni sot është bërë ekzekutimi i mjeteve financiare në llogaritë bankare të përfituesve”, ka shkruar ajo në Facebook.

Tutje, drejtoresha ka bërë të ditur se buxheti komunal i ndarë për këto familje është në vlerë totale 465 mijë euro.

“Si qeverisje komunale zotohemi që do të vazhdojmë të përkujdesemi për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të komunës tonë”, ka përfunduar Islami. /Telegrafi/