Është mbajtur mbledhja e 8-të e rregullt e Kuvendit të Komunës, të cilën e udhëhoqi Jeton Ujkani, kryesues i Kuvendit të Komunës. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, këshilltarët e Kuvendit Komunal dhe drejtorët e drejtorive komunale.
“Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, propozoi që pika e 6-të e rendit të ditës, Peticioni i banorëve të ndërtesës njëmbëdhjetë katëshe, të largohet nga rendi i ditës sepse me këtë çështje do të merren organet kompetente.
Përveç propozimit për rend të ditës nga kryetari Bahtiri, pati propozime edhe nga asamblistë komunalë.
Safet Kamberi, asamblist nga radhët e LDK-së kërkoi që Kuvendi Komunal të ofroj mbështetje ndaj Stadiumit “ Riza Lushta” për pagesën e faturës së ujit, si dhe propozoi që në seancën e ardhshme të kuvendit të futet në rend dite rregullorja për largimin e taksave komunale ndaj bizneseve në komunën e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin për media.
Me këtë rast këshilltarët komunalë mbështetën propozimin e Asamblistit duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm rregullimin e infrastrukturës sportive dhe përkrahjen e sportit në përgjithësi.
Në vazhdim këshilltarët e Kuvendit Komunal, shqyrtuan, miratuan dhe mbështetën materialet e parapara me rendin e propozuar të ditës.
Pika më e rëndësishme e rendit të ditës, rreth të cilës pati diskutime dhe propozime nga këshilltarët, ishte Peticioni i banorëve të ndërtesës njëmbëdhjetë katëshe për të cilën kryetari Bahtiri tha se duhet të largohet nga rendi i ditës dhe këshilltarët e KK-së e aprovuan kërkesën e propozuar nga kryetari.
Në vazhdim këshilltarët e Kuvendit Komunal aprovuan me shumicë votash Miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar; Draft rregulloren për ndryshim dhe plotësim të Rregullores nr. 03/2014 për caktimin e orarit të punës për subjektet afariste në Komunën e Mitrovicës; Kornizën Afatmesme Buxhetore 2019-2021; Strategjinë për Kulturë dhe Turizëm 2018-2022; Rishqyrtimi i vendimit për miratimin e Planit Lokal për mbeturina interne nga ndërtimi, prishjet dhe mbeturinat që përmbajnë azbest në Komunën e Mitrovicës. /Telegrafi/