Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka nënshkruar të premten kontratë me 81 fermerë, të cilët kanë përfituar nga një serë të tipit ”Tunel”, me sipërfaqe prej 50 metrave katrorë.
Sipas njoftimit për media, fermerët përfitues të serave, sipas kësaj kontrate, detyrohen që serën e përfituar ta shfrytëzojnë për rritjen dhe kultivimin e perimeve në mënyrë që të rritet aftësia konkurruese në treg.
Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, ka thënë se zhvillmi i bujqësisë është një faktor tejet i rëndësishëm që duhet të afirmohet edhe më shumë në të ardhmen.
Në njoftim thuhet se, Mujka, ka shprehur vullnetin e tij dhe të autoriteteve komunale për përkrahjen e vazhdueshme të sektorit të bujqësisë. Sipas tij, komuna edhe në të ardhmen do të ndihmoj që të realizohen projekte të tjera të ndryshme, që do të jenë ndihmesë për bujqit e Mitrovicës.
“Unë ju uroj që ju pasi t`i vendosni këto sera, të filloni të punoni në kultivimin e këtyre perimeve dhe të keni përfitim nga puna e juaj. Ne do të vazhdojmë të ju mbështesim juve me shumë projekte tjera edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në komunën e Mitrovicës, Ekrem Sadiku, është shprehur i kënaqur që ecuria e përzgjedhjes se këtyre bujqve përfitues të serave, është realizuar gjithmonë sipas procedurave të parapara. Ai tha se ky projekt implementohet më qëllim të stimulimit të fermerëve dhe rritjes së aftësisë konkurruese për prodhimin e perimeve.
Sipas njoftimit, drejtori Sadiku tha se prioritet i tij gjatë udhëheqjes me Drejtorinë e Bujqësisë është realizmi i projekteve për zhvillimin bujqësisë dhe lehtësimin e punës së fermerëve.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku që sektorin e bujqësisë ta zhvillojmë sa më shumë në komunën tonë. Komuna e Mitrovicës ka potencial të mjaftueshëm që ky sektor të zhvillohet dhe në këtë mënyrë të zbusim edhe papunësisë ”, ka thënë Sadiku.
Ndërsa, përfituesit e serave janë shprehur të kënaqur për mbështetjen e vazhdueshme nga Komuna e Mitrovicës me ç’rast falënderuan drejtorin Sadiku për punë e tij të palodhshme.
Në njoftim theksohet se monitorimin për përfituesit e serave, të tipit ”Tunel”, me sipërfaqe prej 50 metrave katrorë do ta bëjë Komuna e Mitrovicës, përkatësisht drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural./Telegrafi/