Telegrafi

Komuna e Malishevës do t’i mbulojë shpenzimet e varrimit për qytetarët e saj

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, si dhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë, Mulla Xhevat Kryeziu, kanë nënshkruar marrëveshjen për mbulimin e shpenzimeve për shërbimin e varrimit të personave të vdekur, të cilët varrosen në territorin e komunës së Malishevës.

Kostoja e përgjithshme e marrëveshjes për një shërbim mortor është 230 euro, të cilat mbulohen me mjete buxhetore të Komunës së Malishevës.

Mbulimi i shpenzimit për shërbimet e varrimit, sipas kësaj marrëveshjeje, në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet me pagesën e anëtarësisë ndaj Bashkësisë Islame, çështje e cila edhe më tutje mbetet në raportet e deritanishme të qytetarëve me Bashkësinë Islame, transmeton Telegrafi.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se Kuvendi i Komunës së Malishevës gëzon të drejtën e shkëputjes së njëanshme të marrëveshjes, në rast se Këshilli i Bashkësisë Islame në Malishevë nuk përmbush obligimet e veta sipas nenit 2 dhe 5 të kësaj marrëveshjeje. /Telegrafi/