Komuna e Klinës ka bërë hapa të rëndësishëm drejt përfundimit të Planit Lokal për Veprim në Mjedis (PLVM), një dokument strategjik që synon të adresojë dhe zgjidhë çështjet mjedisore në nivel lokal.
Takimi i tretë i grupit punues për hartimin e këtij plani u mbajt në sallën e konferencave të komunës, duke përfshirë pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm dhe institucione të rëndësishme.
Përmes një postimi në Facebook, Komuna e Klinës njoftoi për takimin e mbajtur për hartimin e Planit Lokal për Veprim në Mjedis.
“Është mbajtur takimi i tretë me radhë i punës i grupit punues për hartimin e Planit Lokal për Veprim në Mjedis (PLVM). Ky plan është dokument planifikues – strategjik, për të adresuar zgjidhjen e problemeve mjedisore në nivel lokal”, kanë shkruar Komuna e Klinës transmeton Telegrafi.
Nënkryetarja e komunës, Marqe Tanushi-Selmanaj, theksoi rëndësinë e këtij plani si një mjet për të identifikuar problemet mjedisore, për të përcaktuar prioritetet dhe për të siguruar menaxhimin efikas të tyre.
Ajo vuri në dukje se ky proces ka për qëllim vendosjen e çështjeve mjedisore në agjendën e institucioneve përgjegjëse.
Sipas grupit punues, PLVM do të jetë i hapur për konsultim publik në një fazë të ardhshme, duke ftuar qytetarët dhe grupet e interesit që të japin rekomandimet dhe idetë e tyre. /Telegrafi/