Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, iu ka adresuar kryeministrit Ramush Haradinaj me kërkesë për të intervenuar në mënyrë emergjente në sanimin e dëmeve që janë shkaktuar në komunën e tij nga vërshimet.
Në kërkesën drejtuar Qeverisë sot më 25 maj, thuhet se dëmet që janë shkaktuar për shkak të reshjeve që kanë shkaktuar vërshime me datë 21, 22 dhe 23 maj kërkojnë intervenim emergjent.
“Kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa lokalitete në komunën duke shkaktuar vërshime, përmbytje dhe rrëshqitje të dheut dhe si pasojë kanë sjellë bllokimin e rrugëve, dëmtimin e pronës publike dhe private si dhe janë rrezikuar të mira materiale dhe jeta e njeriut”, thuhet në kërkesën drejtuar Qeverisë.
Dëmet më të mëdha thuhet të jenë shkaktuar në lagjen “Shaqir Kuka”, në rrugën Kaçanik – Gajrë dhe Ivajë si dhe fshati Bob ku po thuhet se është në rrezik rrjeti i ujësjellësit i qytetit.
Masat preventive për eliminimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e vërshimeve janë: ndërtimi i shtratit të përrenjve dhe mirëmbajtja e rregullt e tyre.
“Duke pasur parasysh buxhetin e vogël të komunës sonë për intervenime në situata emergjente, e ka bërë të pamundur të intervenohet për sanimin dhe rehabilitimin e kësaj gjendje në këtë periudhë”, thuhet në kërkesën e Komunës së Kaçanikut. /KP/