Site icon Telegrafi

Komuna e Graçanicës refuzoi të harmonizojë Rregulloren për lejet e ndërtimit, MAPL ia kalon çështjen Ministrisë së Drejtësisë

Komuna e Graçanicës po akuzohet për diskriminim dhe standarde të dyfishta në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit, për banorët shqiptarë.

Banorët shqiptarë kanë shprehur shqetësimet e tyre se po përjashtohen padrejtësisht nga ky proces, duke ngritur zërin për trajtim të pabarabartë dhe mungesë të transparencës.

Ky shqetësim është theksuar edhe më shumë nga zyrtarët dhe përfaqësuesit e tyre, të cilët kërkojnë një qasje të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e komunës.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës, Granit Gashi muaj më parë për Telegrafin ka thënë se neni 36 i rregullores së miratuar në vitin 2018 po aplikohet vetëm për banorët shqiptarë. Sipas tij që nga viti 2018 e deri më tani nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi për banorët shqiptarë të Komunës së Graçanicës.

Lexo po ashtu Komuna e Graçanicës me standarde të dyfishta, Gashi: Shqiptarët po përjashtohen nga lejet e ndërtimit  

Për këtë problematikë ai njoftoi se kanë parashtruar kërkesa edhe në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, si dhe tek Avokati i Popullit, për të cilin thotë se janë në pritje të një raporti final.

Lidhur me këtë çështje Telegrafi ka pyetur edhe Ministrinë e Adiministrimit dhe Pushtetit Lokal.

MAPL ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Komuna e Graçanicës që t’i ndërmerr veprimet e nevojshme sipas kërkesës së MMPHI-së për të harmonizuar me legjislacionin në fuqi Rregulloren në fjalë, në afat prej 30 ditësh.

Por pavarësisht një kërkese të tillë,  Komuna e Graçanicës nuk e ka harmonizuar Rregulloren e nxjerrë në vitin 2018.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në përputhje me mandatin e saj të përcaktuar me Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, shtojcën I, pika 9 të Rregullores (QRK) – Nr. 14/2023 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, pas shqyrtimit të kërkesës sqaron se:

Aktet e komunës të cilat miratohen për fusha për mbikëqyrjen e të cilave nuk është kompetente MAPL, përgjegjëse janë Ministritë e linjës, Institucionet dhe Agjencitë tjera qendrore të cilat shërbejnë si organe mbikëqyrëse, siç përcaktohet në nenin 7, të Rregullores (QRK) Nr.10/2019 për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave.

Bazuar në mandatin e saj, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka vlerësuar se Rregullorja Nr.03/18/KG e datës 26.09.2018, e miratuar nga Kuvendi i Komunës së Graçanicës, është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi;

MAPL, përmes shkresës Nr.463-1099/16, ka dërguar raportin e vlerësimit të ligjshmërisë në komunën e Graçanicës dhe ka kërkuar nga komuna që t’i ndërmerr veprimet e nevojshme, sipas kërkesës së MMPHI-së, për harmonizimin me legjislacionin në fuqi të Rregullores Nr.03/18/KG e datës 26.09.2018, brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së, për Telegrafin.

Tutje Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka bërë të ditur se e ka proceduar lëndën në Ministrinë e Drejtësisë.

“Edhe për kundër që Kuvendi i Komunës së  Graçanicës, në mbledhjen e datës: 17.05.2024, e ka pas pikë të rendit të ditës, rishqyrtimin e Rregullores Nr.03/18/KG, të datës 26.09.2018, sipas kërkesës së MMPHI-së, Kuvendi i Komunës se Graçanicës, nuk ka rishqyrtuar dhe harmonizuar aktin në fjalë.

Duke pasur në konsideratë se Kuvendi i Komunës së Graçanicës, ka refuzuar të rishqyrtoj dhe harmonizojë Rregulloren Nr.03/18/KG, sipas kërkesës së MMPHI-së, atëherë MAPL përmes shkresës 463-1099/19, ka proceduar lëndën në Ministrinë e Drejtësisë, e cila është kompetente të dërgoj lëndën në gjykatën kompetente, siç përcaktohet me nenin 82.4, të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

MAPL ka shtuar se është e gatshme të ofrojë përkrahje dhe ndihmën e nevojshme, për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës.

Për të parë se cila ka qenë arsyeja që Komuna e Graçanicës nuk e ka harmonizuar këtë rregullore, kemi kontaktuar edhe komunën dhe jemi në pritje të përgjigjes.

Lexo po ashtu Diskriminimi i banorëve shqiptarë në Graçanicë, Avokati i Popullit: Rasti është në procedurë të hetimit

Telegrafi ditë më parë kishte kontaktuar dhe me zyrën e Avokatit të Popullit për të parë se nëse është gati raporti për të cilin zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës, kishte thënë se është duke u përgatitur.

Në një përgjigje me shkrim nga Avokati i Popullit, kishin thënë se rasti është në ende në hetim.

“Rasti në fjalë është në procedura të hetimit dhe për të gjitha veprimet e ndërmarra njoftohet pala ankuese”, thuhej në përgjigjen e Avokatit të Popullit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version