Komuna e Fushë Kosovës është gjobitur sot me 4 mijë euro për kufizim të qasjes në dokumente publike.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva.
Sipas saj, ky lajm nuk është publikuar ende në faqen zyrtare të Agjencisë, deri në dërgimin e këtij vendimi në formë fizike në këtë institucion.
“Se kemi dërgu te pala në formë fizike, por vetëm me e-mail. Në momentin që ne e dërgojmë në formë fizike në institucion e publikojmë dhe në web faqe. Ligji parasheh direkt kryetarin e komunës përgjegjëse, në kuptimin për zbatim të qasjes në dokumente publike, ndërsa për mjete gjobitet institucioni dhe jo vet personi.
Në këtë rast nuk është kryetari i gjobitur, por institucioni. Dy gjobat e para janë nga tre mijë euro, e treta është katër mijë dhe e katërta që është dërguar sot me e-mail është katër mijë euro”, ka thënë Sogojeva.
Lajmi fillimisht ishte bërë i ditur nga asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlonjat Hasani.
“Komuna e Fushë-Kosovës përveç që i prinë listës së Komunave dembele duke mos bërë pothuajse asnjë punë për qytetarët, realizimin e investimeve kapitale e ka bërë vetëm 26%, ‘nepotizmi; dhe punësimi në institucione publike ndodhë vetëm nëse i “përmbushë egot politike të subjektit që e udhëheqë Komunën!’
Lista e punëve të këqija është e gjatë, ndërsa e punëve të mira fillon dhe mbaron pothuajse me 0 …!!! Për të mos mjaftuar kjo, ata vazhdojnë të shkelin ligje, të thyejnë rregulla e rregullore, e të mohojnë qasje në dokumentet publike për qytetarët… Krejt kjo për t’i pamundësuar opinionit informimin për punët e dyshimta dhe të dëmshme që ata i bëjnë…!!!
Agjencia për Informim dhe Privatësi, sot i ka shqiptuar gjobë Komunës, konkretisht Kryetarit Burim Berisha në vlerë prej 4.000€ për kufizim të qasjes në dokumente publike për kërkesat që i kam drejtuar Komunës”, kishte shkruar Hasani në Facebook. /Telegrafi/