Site icon Telegrafi

Kompromiset e vështira që përmendi Blinken, Kurti: ShBA, partneri ynë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti deklaroi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë aleati kryesor i Kosovës, në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që duhet të ketë njohjen reciproke në qendër.

Këtë kreu i ekzekutivit e tha para mediave, pasi u pyet për deklarimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili ka thënë se Kosova dhe Serbia do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur normalizimin e raporteve në mes dy vendeve dhe për të arritur siguri e prosperitet për qytetarët.

Lexo po ashtu Blinken thotë se liderët kosovarë dhe serbë do të bëjnë kompromise të vështira, por përfitimet do të jenë të mëdha

Në urimin e tij për Serbinë për Ditën e Shtetësisë, Blinken ka thënë se SHBA-ja vlerëson partneritetin strategjik me Serbinë.

“SHBA-ja është mbështetëse e fuqishme në ambiciet e Serbisë për në Bashkimin Evropian. Jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të BE-së drejt këtij qëllimi të rëndësishëm. Mirëprita angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në vizitën e fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët e Serbisë dhe të Kosovës do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe për tërë rajonin – do të jenë të mëdha”, ka thënë Blinken në letrën e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Kurti para gazetarëve tha se nuk e ka lexuar këtë letër, ndërsa ritheksoi raportet e mira mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Unë nuk e kam lexuar atë letër ende dhe natyrisht që nuk e kam shkruar unë. Prandaj, besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë kryesorë në shtetndërtimin tonë demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Natyrisht që do të ketë edhe çështje të tjera në atë marrëveshje përveç njohjes reciproke, por ajo është në qendër”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version