Site icon Telegrafi

Kompetencat e Inspektoratit të Punës dhe roli i tyre në mbrojtjen dhe sigurinë në punë

Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës është njësi e themeluar në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Përgjegjësitë dhe funksionet e TEIP-së janë të përcaktuara me Ligjin nr.2002/9 për Inspektoratin e Punës në Kosovë

Shkruan: M.sc Riza Dembogaj*

Detyrë parësore e TEIP-së është të bëjë mbikëqyrjen në zbatimin e dispozitave ligjore të Rregullores nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, Ligjit nr. 2003/19 për Siguri në Punë, Mbrojtje të Shëndetit të Punësuarve dhe Ambientit të Punës.

Funksionin e vetë e ushtron në 30 komunat e territorit të Kosovës.

1. Inspektorët e punës kontrollojnë në mënyrë unike të gjitha vendet e punës që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës, kushtet e punës, mbrojtjen në punë dhe ruajtjen e shëndetit të punëtorëve në përgjithësi, të përcaktuara në bazë të Rregullores nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, Rreg. 2003/33 e Ligjit NR. 2003/19 për Siguri në Punë, Mbrojtje të Shëndetit të Punësuarve dhe Ambientit të Punës dhe dispozitave tjera të aplikueshme në fushën e punës, punësimit, sigurisë në punë, mbrojtjes së shëndetit të punësuarve dhe ambientit të punës.

2. Sigurojnë informacione dhe këshilla për zbatimin e dispozitave të aplikueshme në lëmit e punës, punësimit, sigurisë në punë, mbrojtjes së shëndetit të punësuarve dhe ambientit të punës.

3. Bëjnë kontrollimin e të gjitha librave të punëdhënësve që duhet t’i mbajnë ata, në pajtim me ligjin e punës dhe sigurisë në punë, mbrojtjes së shëndetit të punësuarve dhe ambientit të punës.

4. Inspektorët e punës kryejnë inspektimin në vendin ku është shkaktuar vdekja, ose lëndimi i rëndë i një apo më shumë punëtorëve, ose ka ndodhë ndryshim në procesin e punës i cili ka rrezikuar jetën e punëtorëve.

5. Në bazë të vendimit nr. 81/06 japin pëlqimin për punë punëdhënësve në lidhje me plotësimin e kushteve të sigurisë në punë në objektet ku ushtrohet veprimtaria e punës.

6. Inspektojnë vendet e punës dhe veprojnë në ndalimin e të gjitha llojeve të diskriminimit, moshën minimale të të punësuarve, ndalimin e punës së dhunshme ose të detyruar, në realizimin e të drejtës në organizim sindikal, marrëdhënien e punës, kontrata e punës, realizimin e pagesës së barabartë për femra dhe meshkuj për punë të njëjtë, realizimin e pagave, orarin e punës, realizimin e pushimit ditor, javor, festave zyrtare, të lehonisë, rasteve familjare, të pushimit mjekësor, të pushimit pa pagesë, pushimit vjetor, evidencën e punonjësve, kushteve të punës, trajnimeve për punë të sigurt, objekteve, aparateve kundër zjarrit, rrezatimeve, konstruksioneve, gjendjeve të makinave dhe pajisjeve të punës, mjeteve personale mbrojtëse në punë etj.

7. Inspektori i punës urdhëron ndalimin e prodhimit, ose procesit të punës aty ku ka fakte të pamohueshme dhe të verifikuara se kushtet në vendin e punës shfaqin rrezik të drejtë për drejtë për jetën shëndetin apo sigurinë e punonjësve.

8. Bënë mbikëqyrjen e implementimit të rregulloreve: rregullores nr. 2004/01 për masat higjienike dhe teknike të mbrojtjes në punë dhe të rregullores 2005/02 për vlerësimin e rrezikshmërisë në punë dhe lidhur me punën.

9. Për çdo inspektim të kryer bëjnë procesverbalin me të cilin e pasqyrojnë gjendjen faktike, i evidentojnë shkeljet e bëra të dispozitave të caktuara dhe i japin punëdhënësit ose punonjësit aftin e caktuar.

Bazuar në përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive të Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të punës, mund të konstatohet lehtësisht se gjatë fushëveprimtarisë së tyre shpesh ka tejkalime të autorizimeve që tejkalojnë mbrojtjen dhe sigurinë në punë, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit të punës, përmes inspektimeve dhe raporteve, e që këto tejkalime të Kompetencave behën sa herë ata kryejnë vendosje gjyqësore për të drejtat e punëtorëve, lidhur me njohjen e atyre benificioneve në formë të mjeteve monetare, diferenca në pagë, njohjen e pagave jubilare, dhe anulimin e vendimeve të masave disiplinore, vendimeve të shkëputjes së marrëdhënies së rregullt të punës apo edhe ndërprerjen e mandateve të fituara sipas ligjeve të veçanta.

Dihet se sipas legjislacionit në fuqi në vendin tonë kemi dy lloje kryesore të marrëdhënies së punës që mbulohen me ligjin për zyrtarët publik (kategoria e ish-shërbyesve civil, kategoria e të punësuarve sipas ligjit të punës dhe kategoria e marrëdhënieve të punës sipas ligjeve të veçanta dhe speciale në formë të mandateve të fituara nga ana organeve të veçanta sipas ligjeve adekuate.

1. “Organet publike veprojnë në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi, si edhe me rregullat e përgjithshme administrative të zbatueshme brenda kompetencave të tyre dhe në përputhje me qëllimin për të cilat janë dhënë këto kompetenca.”

2. “Veprimi administrativ që cenon apo mund të cenojë një të drejtë apo interes juridik të një personi, duhet të jetë i autorizuar nga një ligj”

Në nenin 21 paragrafi 1 të Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative rregullohet çështja e kompetencës lëndore të organeve administrative, citoj: “Kompetenca lëndore e organit publik përcaktohet me ligj”.

Mbështetur ne Ligjin nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës në Kosove, Ligjin nr. 03/L-017 për Ndryshimin dhe Plotësimet e Ligjit për Inspektoratin e Punës nr. 2002/09, Inspektorati i Punës nuk ka kompetence lëndore për mbikëqyrjen e ligjeve tjera të veçanta dhe speciale për rregullimin e kontratave të punës të fituara me ato ligje, të quajtura mandate.

Si shembull vlen të ceket se Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës në të kaluarën e afërt ka nxjerrë vendime për Anulimin e Vendimeve të Bordeve të Drejtoreve të cilët duke kryer detyrat dhe përgjegjësit e tyre kanë marrë vendime konform autorizimeve të përcaktuara me ligjin e ndërmarrjeve publike ligji 03/L-087.

Këto vendime të Trupës ekzekutive të Inspektoratit të Punës në shumicën e rasteve ishin pezulluar dhe pastaj anuluar nga gjykatat e rregullta Divizioni Administrativ në procedurën sipas Konfliktit Administrativ.

Sikur Inspektorati të kishte kompetencë që kontestet e punës t’i vendoste në shkallën e tij të parë nga inspektori, atëherë nuk do të kishte nevojë për ekzistimin e Gjykatave që marrëdhëniet e punës i vendosin në 3 nivele.

Inspektorati i punës dallon në esencë në thelb dhe kompetencë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës si organ i jashtëm i cili vendos për ankesat e palëve sipas ligjit të shërbimit Civil ligji 03/L-149 dhe Ligjit për Zyrtarët Publik të Kosovës , Ligji 06/L-114 .

Pavarësisht se të dy institucionet janë të organizuara jasht punëdhënësit, duhet të dallohet roli dhe kompetenca e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës si organ i shkallës së dytë lidhur me ankesat e kategorisë së shërbyesve civil për të cilat Këshilli si organ i jashtëm i pavarur vendos në shkallë të dytë në procedurë të ankesave dhe është vendim përfundimtar në këtë procedurë sipas Ligjit të Shërbimit Civil dhe Ligjit për Zyrtarët Publik.

Ndërsa sipas kategorisë së punës të rregulluar me ligjin e punës, dy shkallshmëria e procedurës së ankesave është e organizuar brenda punëdhënësit sipas rregullave dhe procedurave të brendshme të miratuara sipas obligimit të Ligjit të Punës. Kështu që sipas Ligjit të punës, procedura e ankesave sipas ligjit të punës dhe rregullave të brendshme të punëdhënësit përfundon me nxjerrjen e vendimit të shkallës së dytë tek punëdhënësi dhe me nxjerrjen e ati vendimit, apo pas kalimit të afatit (heshtja administrative) fitohet e drejta që të fillohet procedura gjyqësore përmes padisë në gjykatën e rregullt civile sipas kompetencës lëndore dhe territoriale.

Inspektorati i Punës me vendime për anulim të vendimeve të punëdhënësit, me vendime për njohjen e të drejtave në mjete monetare, financiare, pagave jubilare etj ndërhyre pa asnjë baze ligjore në kompetencat e Gjykatës që është organi i vetëm për njohjen e të drejtave të punëtorëve, kompensime dhe anulim vendime komfor nenit 79 dhe 80 të Ligjit të Punës. [Neni 79 – Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë] dhe [ Neni 80 – Vendosja gjyqësore për ndërprerjen e kontratës së punës]. Kështu që referuar nenit 92 te Ligjit nr.02/L-28 për procedurën administrative akti i nxjerrë nga ana e trupës ekzekutive të Inspektoratit të Punës lidhur me anulim vendimi, dhe kompensime në emër të të drejtave, është vendim i nxjerrë nga ana e organit jo kompetent dhe ky akt konsiderohet absolutisht i pa vlefshëm.

Bazuar nga sa u tha sipas elaborimit të legjislacionit në fuqi, Inspektorati i Punës ka kompetenca të mbikëqyrë zbatimin e Ligjit te Punës dhe Ligjin për mbrojtën e shëndetin e të punësuarve, të konstatojnë drejtë gjendjen faktike, te përpilojnë raport mbi te gjeturat që ne rastin konkret ka munguar dhe ne fund të japin vërejtje me shkrim për parregullsitë e konstatuar dhe caktoje afatin brenda te cilit duhet te eliminohen këto parregullsi e në rast të mos përfilljes së vërejtjeve, eventualisht të shqiptoj gjobën e parapare me Udhëzimin Administrativ dhe çdo veprim jashtë këtij fushëveprimi paraqet tejkalim të kompetencave të Inspektoratit të punës, moskryerje të rregullt të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, ndërhyrje në punët e institucioneve tjera dhe organeve të pavarura e që për pasojë do të këtë dëme potenciale për të gjitha palët, por edhe për vet punëtorët të cilët kërkojnë nga trupa Ekzekutive e Inspektorati të punës ndihmën e tyre jashtë kompetence.

* Autori është M.sc i Shkencave Juridike dhe njohës i mirë i legjislacionit në fuqi; ka të kryer provimin e jurispodencës, provimin e noterisë, provimin e përmbarimit privat, provimin përgatitor për gjyqtar dhe prokuror, provimin e noterisë si dhe shumë kualifikime të tjera nga lëmi i zbatimit të ligjit.

/Telegrafi/

Exit mobile version