Afaristi Zija Zeqiri, pronar i njërës nga kompanitë që pësoi dëme të mëdha nga vërshimet e gjashtë gushtit, shprehet se edhe pas 5 muajve nga vërshimet, ende shpreson që qeveria do ta dëmshpërblejë për dëmet që ka pësuar. Ai thotë se malli i dëmtuar nga vërshimet ende qëndron në depo, në mënyrë që brenda këtij viti të evidentohet nga ana e organeve kompetente.
‘’Shpresat ekzistojnë edhe pse janë të zbehta shumë , po ne vazhdojmë të presim, kërkesat i kemi bërë të të gjitha institucionet relevante të cilat duhet të jenë përgjegjëse për këtë por ende nuk ka ndonjë përgjigje prej tyre por jemi në pritje. Jemi me shpresë se ndoshta deri tash nuk kanë pasur kohë dhe tani ndoshta gjejnë kohë se kanë qenë të angazhuar me punët e veta me problemet e veta. Në qoftë se ka ndonjë ndryshim në qeveri ndoshta lind ndonjë tro shprese se mund të trajtohemi’’, tha ai.
Zeqiri fillimisht kërkon që të lirohet nga tatimet, pasi që malli i tij më nuk është funksional, edhe pse për të i kishte paguar të gjitha obligimet ligjore.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore theksojnë se kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga qeveria që edhe ata të trajtohen institucionalisht, duke shtuar se qasja e qeverisë aspak nuk ka qenë pro kompanive vendore.
‘’Një kërkesë tjetër që nuk është pranuar vitin e kaluar ka qenë gjatë vërshimeve që e kaploi rajonin e Shkupit, në Hasanbeg dhe Stajkovc edhe përskaj kërkesës tonë të disa hershme se komuniteti i biznesit i cili ishte i prekur me një dëm material dhe jo material me mbi 15 milionë euro që qeveria duhet t’i trajton në mënyrë institucionale ajo nuk ndodhi’’, tha Fatmir Bytyqi, drejtor ekzekutiv i OEVMP, për TV21.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimorë theksojnë se ekziston shpresa për dëmshpërblimin e këtyre kompanive pasi që një gjë e tillë ka qenë pjesë edhe e platformave të disa partive politike. Gjithashtu ata janë optimistë se organizatat dhe institucionet ndërkombëtare këtyre kompanive do t’ju dalin në ndihmë për të vazhduar aktivitetin e tyre afarist. Sipas Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore janë mbi 380 kompani që pësuan dëme në rajonet që u përfshinë nga vërshimet e 6 gushtit vitin e kaluar./Telegrafi/