Sipas rezultateve të një sondazhi të Dhomës së Tregtisë dhe të Industrisë të Gjermanisë, DIHK, më shumë se gjysmës së kompanive gjermane që kryejnë aktivitet jashtë vendit u është dashur kohët e fundit të përballen me barriera tregtare shtesë.
Kërkesat për sigurinë dhe sanksionet janë vetëm dy nga shumë çështje që ua vështirësojnë edhe më tepër punën eksportuesve gjermanë.
Drejtori i Drejtorisë për Tregtinë e Jashtme në DIHK, Volker Treier, tërhoqi vëmendjen për zhvillimet në SHBA-në nën drejtimin e Presidentit Donald Trump: “Pengesat tregtare në rritje dhe sinjalet proteksioniste nga Uashingtoni po shkaktojnë shqetësim të madh për kompanitë tona”.
Presidenti Trump ka nxitur mosmarrëveshje tregtare si me BE-në, edhe me Kinën dhe fqinjë të SHBA-së, Kanadanë dhe Meksikën, shkruan dw.
70 për qind e kompanive gjermane që morën pjesë në anketë thanë se prej politikës tregtare të SHBA prisnin efekte negative ndaj biznesit të tyre.
Vitin e kaluar SHBA ishte fener shprese për firmat gjermane. Tani situata është përkeqësuar sidomos për kompanitë gjermane që kanë biznese në SHBA.
Sondazhi u krye përpara se Trumpi të shpallte planet për të vendosur tarifa shtesë prej 25 përqind për importet e veturave.
Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë tani ka frikë se bizneset e eksportuesve gjermanë do të shkojnë edhe më keq dhe se do të ketë rënie të eksporteve. Rënia e eksporteve pritet madje që për vitin 2025, tha Drejtori i Drejtorisë për Tregtinë e Jashtme në DIHK, Volker Treier. /dw/