Nëntë drejtorë të kompanive të sigurimeve kundërshtojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për uljen e policave të sigurimit.
Këtë e ka bërë të ditur kryesuesi i Delegacionit të Kosovës në Bruksel për Sigurime, Rrahim Pacolli.
Ai përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e tij rreth qëndrimit të këtyre drejtorëve.
“Nuk arrij të kuptoj se si këta individë dalin jashtë kompetencave që kanë e tentojnë të kundërshtojnë vendimet e marra nga organi mbikëqyrës – Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK). Përveç kësaj, ata tentojnë të pengojnë lirinë e lëvizjes së lirë, interesat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, duke marrë parasysh se nuk është hera e parë që kundërshtojnë vendime apo marrëveshje lidhur me çështjen e sigurimeve”, ka shkruar Pacolli.
“Andaj i drejtohem Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm ndaj atyre që kundërshtojnë vendime të BQK-së”, shton më tej Pacolli
Pacolli më tej thotë se duke krahasuar raportet e shitjes së policave nëpër pikat kufitare të 1 dhe 2 Korrik 2014 me ato të 1 dhe 2 Korrik 2015, kemi vërejtur se numri i policave të shitura në vitin 2014 ka qenë 2,274, ndërsa këtë vit është 3,627.
Kjo sipas tij dëshmon se ulja e tarifave të sigurimeve kufitare ka qenë e mirëpritur. /kallxo.com/