Telegrafi

Kompanitë e pastrimit në mënyrë të organizuar heqin borën në autostradën “Arbën Xhaferi”

Reshjet e borës kanë vazhduar edhe pasditen e së premtes në territorin e Kosovës, ndërsa pritet që edhe nesër të kemi mot të ngjashëm.

Për mirëmbajtjen e rrugëve në territorin e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka angazhuar nga dy kompani për shtatë regjionet e vendit.

Veçanërisht për autostradat, MIA ka angazhuar tri kompani për mirëmbajtje të rrugëve, të cilat janë në gjendje gatishmërie që nga 15 nëntori i vitit të kaluar.

Njëra nga këto kompani është parë edhe sot gjatë ditës duke larguar borën, nga autostrada “Arbën Xhaferi” e cila lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Në videon e siguruar nga Telegrafi shihen kamionët të cilët largojnë borën për ta bërë rrugën të kalueshme.

Ndërkaq mobilizimi i ministrisë ka qenë në nivel pasi siç shihet në video, mjetet adekuate kanë hequr borën koherent.

Po ashtu policia e Kosovës ka apeluar në vazhdimësi për ngasësit e automjeteve, që të kenë kujdes në komunikacion për shkak të borës e cila ka krijuar rrugë jo të sigurt. /Telegrafi/