Telegrafi

Kompanitë e arkave pezullojnë punën

Katër kompanitë e licencuara për shitjen e arkave fiskale kanë ndërprerë punën. Në kompaninë “Gekos’, thonë se ndërprerja e punës është bërë për shkak se nuk e kanë të qartë udhëzimin e ri Administrativë, të nxjerrë ditë më parë nga Ministria e Financave.

Nga kjo e fundit dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), pavarësisht kërkesës, kompanitë ende nuk kanë marrë interpretim ligjor për punën e më tejshme.

Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), përmes një përgjigje elektronike e konsiderojnë Udhëzimin Administrativ si një zgjidhje të duhur dhe se i ka fuqizuar punën e operatorëve të licencuar.

“Konsideroj se Udhëzimi Administrativ ka bërë zgjidhjen e duhur për operatorët e licencuar dhe i ka fuqizuar që të vazhdojnë punën, meqenëse konsiderohen të licencuar dhe në ndërkohë duhet të përtërijnë autorizimin për të zhvilluar procesin e fiskalizimit. Kjo periudhë është e lidhur me kontrollin e rregullt të PEF-ve, që nënkupton se deri në momentin e kontrollit të parë të Pajisjes së fundit të shitur, ata kanë autorizime për të fiskalizuar bizneset”, ka thënë Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së.

Sipas Sefa-Bytyqit, operatorët e licencuar nga Komisioni përkatës sipas dispozitave të Udhëzimit Administrativ , konsiderohen të jenë të autorizuar për zhvillimin e procesit të fiskalizimit të tatimpaguesve dhe brenda periudhës që lidhet me kontrollin e rregullt të PEF-ve, këta operator duhet të përtërijnë autorizimin nga NjMAF.

“Nxjerrja e Udhëzimit Administrativ është dokument publik dhe të njëjtit duhet ti referohen të gjitha kompanitë dhe personat e interesuar për procesin e fiskalizimit në Kosovë. Konsideroj se ndërprerja e procesit të fiskalizimit ose pezullimit të punës është i pa arsyeshëm dhe këtë UA nuk e parasheh. Përndryshe çdo paqartësi duhet të komunikohet me palët e interesit dhe të gjitha duhet të zgjidhen në proces e sipër”, ka thënë Sefa-Bytyqi.

Kestrin Kumnova, zëdhënës i kompanisë “Gekos”, thotë për KosovaPress se disa herë kanë kërkuar takim me përfaqësuesit e MF-së dhe ATK-së , për të marrë një interpretim ligjor për hapat e më tejshëm. Mirëpo sipas tij ata nuk kanë pranuar të takohen.

“Katër kompanitë e licencuara për pajisje fiskale, prej kohës kur është diskutuar që do të ndryshohet Udhëzimi Administrativë kanë kërkuar takime pa ndërprerë me Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore , për të shpreh shqetësimet tona lidhur me ndryshimet që do të bëhen por edhe për të jap ide se si të bëhen këto ndryshime në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i fiskalizimit. Ne nuk kemi marrë përgjigje pozitive… Ne ende deri më sot nuk kemi asnjë interpretim nga ana e Administratës Tatimore se sit ë vazhdojmë më tutje me punë me palë me biznese , në çështje teknike të arkave fiskale”, ka thënë Kumnova.

Sipas Kumnovës, pas konsultave që kanë pasur me ekspertët ligjorë të kompanisë ata kanë ndërprerë punën. Ai ka thënë se pa pasur interpretim ligjor, nga Administrata Tatimore, për udhëzimin e ri administrativë ata nuk do të vazhdojnë punën.

“Në konsultim me ekspertët tanë ligjor ne e kemi ndërprerë punën, pasi kemi vlerësuar se ATK-ja është ajo e cila duhet të na interpretoj Udhëzimin e ri Administrativë se si të vazhdohet më tutje me aktivitet…Bizneset duhet ta kuptojnë se nuk është faji i jonë pse është ndërprerë puna , faji është i institucioneve përgjegjëse…Prandaj pa na ardhur prej Administratës Tatimore një interpretim për udhëzimin e ri administrativë, pa mbajt takim Administrata Tatimore dhe pa i sqaruar të gjitha detajet e Udhëzimit Administrativë ne nuk mund të vazhdojmë punën”, ka thënë Kumnova.

Edhe Agmi Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka thënë se inspektorët tatimor po i dënojnë bizneset.

Madje ai kërkon që krahas zbatimit të udhëzimit të ri, duhet që të jepet edhe kohë dhe të ketë efikasitet të kapaciteteve njerëzore, në mënyrë që të mos ketë vakum e problem në dëme të biznesit.

“Procesi i fiskalizimit është stopuar me nxjerrjen e një udhëzimi të ri administrativë dhe nga ana tjetër derisa bizneset nuk mund të pajisen me arka fiskale, në anën tjetër inspektorët tatimor po i dënojnë bizneset dhe kjo është e padrejtë”, tha Shahini.

Ndryshe, me Udhëzimin e ri Administrativë, sipas deklaratës së më hershme të ministrit të financave Avdullah Hoti, ishte thënë se do të mundësohet që kontrollet teknike për pajisje të bëhen në 24 muaj, e që sipas tij, për kontroll teknik do të kërkohet vlerë e qarkullimit shumë më e ulët se sa është kërkuar më herët nga bizneset me rastin e operimit në treg./kp/