Kompania farmaceutike zvicerane, “Roche” ka njoftuar se do të nisë prodhimin e një testi të shpejtë për të zbuluar coronavirusin, i cili do të japë rezultate për 15 minuta.
CNBC shkruan se testi për antigjenet e coronavirusit, i cili shkaktoi një pandemi që rezultoi me 851 mijë viktima që nga fundi i dhjetorit, do të jetë në dispozicion për vendet që njohin markën CE, që është e detyrueshme për produktet që hyjnë në tregun e Bashkimit Evropian.
Përveç kësaj, Roche dëshiron të kërkojë aprovim urgjent nga Agjencia e Zbatimit të Barnave në SHBA (FDA), transmeton Telegrafi.
“Ky test mund të ndihmojë profesionistët e kujdesit shëndetësor të identifikojnë infeksionin e coronavirusit tek njerëzit që mendohet se janë bartës të virusit dhe rezultatet janë të gatshme për 15 minuta”, njoftoi Roche.
Gjithashtu është bërë e ditur se këto teste të shpejta do të jenë të përballueshme, megjithëse nuk është specifikuar çmimi. Ata theksuan se ato nuk varen nga pajisjet teknike laboratorike që do të thotë se do të jenë në gjendje të përdoren në mjedise ku do të kërkohen prova të shpejta dhe masive.
“40 milionë teste të shpejta të coronavirusit do të jenë në dispozicion çdo muaj. Ky kapacitet do të dyfishohet deri në fund të vitit”, shkruan më tutje në njoftim.
Ndryshe, 25.4 milionë njerëz në botë raportohet se janë infektuar me COVID-19. /Telegrafi/