Site icon Telegrafi

Kompania kroate largohet nga Kosova pa e përfunduar punën (Video)

Rreth 100 mijë euro është vlera që ka dëmtuar dy kompanitë vendore, të cilat kishin kontratë me kompaninë kroate “Konstruktor – Inzenjering”, raporton KTV. Kompania kroate u largua nga Kosova pa përfunduar projektin, për të cilin kishte kontratë me BE-në. Drejtues të të dyja kompanive kanë kërkuar llogari në zyrat e BE-së për paratë e humbura, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

Papërgjegjësia e kontraktorit nga Kroacia u ka kushtuar mijëra euro dy kompanive kosovare.

Rreth 70 mijë euro investime është borxhi ndaj kompanisë “Izolimi” dhe rreth 30 mijë të tjera për kompaninë “Elektroing” për sigurim të objektit, i “Konstruktor Inzenjering”, kompani kjo që ishte kontraktuar nga BE-ja për projektin e impiantit për ujërat e zeza në fshatin Medvec dhe Vrellë, transmeton Koha.net.

Drejtues të “Elektroing”-ut, të cilët ishin nënkontraktorë për sigurim, pasi u largua kjo kompani nga Kosova vazhduan të ruajnë objektin, pasi kështu kishin edhe kontratën e pezulluar.

Albert Bublica thotë të ketë paguar punëtorë sigurimi nga xhepi i tij për 27 muaj rresht.

Bublica thotë t’i jetë drejtuar disa herë zyrës së BE-së në Kosovë si investitor, por që nuk kanë arritur të marrin asnjë përgjigje konkrete për këto 3 vjet.

Ai thotë se nuk do të lejojë të vazhdojnë punimet pa u bërë kompensimi i mjeteve.

Në të njëjtën situatë është edhe drejtuesi i kompanisë “Izolimi”, Sabri Rama, i cili i kontaktuar nga KTV-ja përmes telefonit, ka thënë se deri tani nuk ka marrë përgjigje nga BE-ja e as nga kompania me të cilën kishte kontratë.

Rama ka thënë se për këtë problem i është drejtuar edhe ambasadës kroate, por që nga ajo ka marrë përgjigje negative, pasi që kjo kompani ka falimentuar.

Ndërkaq, televizioni i është drejtuar edhe zyrës së BE-së në Kosovë, për të marrë një përgjigje për të cilën u desh të pritet dy ditë.

Kjo zyrë, përmes postës elektronike, ka shpjeguar se nuk do të marrë asnjë obligim për të kompensuar këto kompani.

“Që nga fundi i vitit 2013, kompania ka ndërprerë punimet dhe nuk ka komunikuar me zyrën e BE-së. Kontrata është ndërprerë, punimet e papërfunduara janë ritenderuar dhe është kontraktuar një kompani tjetër në shtator 2015”.

Zyra e BE-së planifikon t’i përfundojë dhe t’ua dorëzojë projektet komunave.

“Kontraktori i mëhershëm, ‘Konstruktor Inzenjering’, nuk e ka njoftuar zyrën e BE-së lidhur me nënkontraktimin e ndonjë kompanie. Si rrjedhojë, Zyra e BE-së nuk ka autorizuar asnjë nënkontraktim. Nëse, duke e shkelur kontratën me Zyrën e BE-së, ‘Konstruktor Inzenjering’ i ka nënkontraktuar punimet, Zyra e BE-së nuk mund të jetë përgjegjëse për keqbërje, që rezulton nga raporti midis kontraktorit dhe nënkontraktorëve”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.

Ditë më parë, zyrtarë të BE-së, bashkë me kontraktorin e ri të projektit, janë penguar të nisin punimet.

Exit mobile version