Rënia e bllokut B2 të Termocentralit “Kosova B” ka bërë që vendi për disa ditë rresht të ketë reduktime të energjisë elektrike.
Për rregullimin e këtij blloku, Zyra e Prokurimit e Korporatës Energjetike të Kosovës njofton se ka nënshkruar kontratën me kompaninë gjermane “GE Steam Power Service France Representative Office in Kosovo”.
Vlera e kësaj kontrate është 248 mijë e 650 euro me një kohëzgjatje prej 21 ditësh. Mirëpo, vlera e paraparë e kësaj kontrate ishte 200 mijë euro.
Dhënia e kësaj kontrate është bërë me arsyetimin se KEK-u nuk ka kapacitete teknike dhe ekspertizë profesionale të përballoj këtë avari.
“KEK-u nuk ka kapacitete teknike dhe ekspertizë profesionale të përballoj këtë avari me forcat e veta, prandaj është e domosdoshme angazhimi i ekspertëve nga Gjermania të GE, që janë prodhuesit origjinal të turbinës. Njësia B2 nuk mund të startohet me këto defekte pa u bërë ky inspektim për të ditur hapat e mëtejmë dhe përcaktuar nivelin e sigurisë se operimit me këtë gjendje. Sa do të jetë nevoja për pjesët e reja, për cilat prej tyre, dhe se cili do të jetë vëllimi i punëve të riparimit duhet ta përcaktohet me këtë inspektim”, thuhet në arsyetimin e dhënies së kontratës.
Gjatë të hënës, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi ka njoftuar se rikthimi i bllokut B2 pritet të kthehet në prodhim rreth datës 20 janar 2022.
“Me këtë rast njoftoj opinionin se ashtu sikur që kam deklaruar në konferencën për media ditë me parë, pritet që njësia B2 të rikthehet në prodhim rreth datës 20 janar 2022, edhe pse përpjekjet e tona të vazhdueshme janë që kjo të ndodhë edhe me herët”, ka thënë ai. /Telegrafi/