Telegrafi

Kompania ‘Frutex’ me reagim publik kundrejt Big Brother VIP Albania pas shkëputjes së njëanshme të kontratës – paralajmërojnë masa ligjore

Kompania “Frutex” e cila ka nën menaxhim pijen “Golden Eagle” kanë bërë një reagim publik kundrejt programit televiziv Big Brother VIP Albania.

Ky reagim vjen pasi ata kanë qenë një nga sponzorët e edicionit të sivjetmë të BBVA, gjersa këta të fundit e kanë shkëputur kontratën e sponzorizimit në mënyrë të njëanshme.

Në një sqarim të gjatë dhe të ndarë me opinionin në rrjetet sociale, kompania vendore e pijeve ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave ligjore ndaj TOP Channel lidhur me çështjen në fjalë.

Lexo po ashtu "Atij i jep energji Golden Eagle", bëhet virale videoja kur Kristi dhe Armaldo flisnin për energjinë e madhe që ka Luizi në BBVA

“Kompania Golden Eagle (Frutex), shpreh keqardhjen e saj lidhur me vendimin e befasishëm të produksionit të Big Brother VIP Albania për ndërprerjen e njëanshme të marrëveshjes së sponsorizimit dhe promovimit të produkteve të Golden Eagle dhe Natural.

Pavarësisht faktit se marrëveshja origjinale ka paraparë sponsorizimin për ciklin e plotë të këtij edicioni të BBVA, para përfundimit të këtij cikli, kompanisë Frutex i janë imponuar kushte të reja të sponsorizimit, në kundërshtim të plotë me marrëveshjen fillestare.

Produksionit të BBVA i është bërë me dije se veprimi i tillë cënon dispozitat kontraktuale dhe rrjedhimisht pamundëson vazhdimin e bashkëpunimit pas imponimit të kushteve të reja.

Kompania Frutex/Golden Eagle do të respektojë zotimet e saj për partneritet me protagonistin e këtij edicioni të BBVA, Luiz Ejli, pas daljes së tij nga shtëpia, megjithëse atij dhe protagonistëve të tjerë u është pamundësuar në mënyrë joetike konsumimi i mëtejmë i pijes së preferuar, Golden Eagle.

Një veprim i tillë i produksionit të BBVA është i paprecedentë, joetik dhe aspak profesional, që minon mundësitë e bashkëpunimit korrekt, prandaj kompania Frutex, do të shqyrtojë hapat e mëtejmë për të adresuar këtë shkelje të njëanshme të dispozitave kontraktuale”, thuhet në reagimin e ‘Frutex’ përmes një videoje në Facebook. /Telegrafi/