Satwika Ika që donte të udhëtonte nga Palembang për në Xhakarta të Indonezisë, ka mbetur e hutuar kur ulësja për të cilën kishte paguar nuk ekzistonte.
Megjithëse në biletë i shkruante se ajo e kishte të rezervuar ulësen 35F, në rresht më nuk kishte asnjë të lirë dhe gjithçka përfundonte me shifrën 34, transmeton Telegrafi.
“Nuk kishte më hapësirë, tualeti kishte zënë karrigen që më takonte mua”, ka shkruar Ika në Facebook, krahas biletës që e pagoi për 40 euro.
Madje, ajo thotë se nuk është e vetmja të cilës i ishin rezervuar ulëse imagjinare, pasi një familje me fëmijë të vegjël po i kërkonin ulëset e tyre.
Raportohet se e tëra ndodhi, kur kompania ajrore e zëvendësoi aeroplanin me një më të vogël, për shkak se kishte më pak udhëtarë. Të dëmtuarve iu gjetën ulëset, që fluturimi të kryhet si duhet. /Telegrafi/