Telegrafi

Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile në rend dite liberalizmin e vizave për Kosovën

Në Komitetin e Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme sot do të jetë në rend dite në diskutimi për liberalizimin e vizave për Kosovën – marrëveshja trepalëshe.

Në njoftimin e Parlamentit Evropian bëhet e ditur se çështja e vizave për Kosovën do të jetë në rend dite në Komitetin për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, raporton Telegrafi.

Votimi pritet të bëhet nga ora 12:30 deri në orën 13:00.

E se liberalizimi i vizave do të jetë në agjendën e Komitetit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme e kishte bërë të ditur ditë më parë euro-deputeti Thijs Reuten, përmes një shkrimi në Twitter.

Reuten kishte bërë thirrje për votim.

“Pas marrëveshjes së shumëpritur me shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën dhjetorin e kaluar, ne do të vazhdojmë me ritmin në Parlamentin Evropian. Votoni në komision këtë të enjte!”, kishte shkruar Reuten.

Duhet theksuar se ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së gjatë takimit në Bruksel në dhjetor kanë miratuar marrëveshjen e arritur më parë mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Tani marrëveshja duhet të votohet në Komisionin për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) në Parlamentin Evropian, e më pas edhe në seancën plenare.

Pas kësaj konfirmohet nga Këshilli i BE-së.

Ndërkaq, pas përfundimit të këtyre procedurave, qytetarët do të mund të udhëtojnë drejt BE-së më së largu më 1 janar 2024.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë. /Telegrafi/