Telegrafi

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e radhës – Nga largimi i Eroll Salihut deri tek VAR-i, Liga U21, të drejtat televizive

Komiteti Ekzekutiv (KE) i FFK-së sot (e enjte) mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e kryetarit Agim Ademi, ku diskutoi për shumë çështje në futbollin e Kosovës.

Sipas faqes së FFK-së, KE fillimisht shqyrtoi përgatitjet për fillimin e Kampionatit të ri 2021/2022 dhe konstatoi se përgatitjet po shkojnë sipas dinamikës së paraparë.

KE shqyrtoi edhe ecurinë e përgatitjes së aftësimit dhe instalimit të sistemit VAR, duke konstatuar se aftësimi i kuadrit dhe instalimi i VAR-it do të fillojë me ndeshjen e Superkupës, ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, e cila do të zhvillohet më 17 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe do të vazhdojë me ndeshjet e Superligës.

Lexo po ashtu FFK konfirmon: Sistemi VAR po vjen në Kosovë

KE po ashtu miratoi vendimin që edhe në edicionin e ri 2021/2022, të drejtën televizive t’ia japë kompanisë “ArtMotion” për ndeshjet e Superligës dhe Ligës së Parë.

KE po diskuton për një marrëveshje për sponzorizimin e Superligës me BKT-në dhe për zhvillimin e Platformës digjitale për klube.

Po ashtu KE është në bisedime për sponsorizim të Ligës së Parë me kompaninë VIVA-Fresh.

KE është afër arritjes së Marrëveshjes për sponsorizim edhe të Ligës së Femrave dhe të gjyqtarëve të futbollit me Bankën Ekonomike. Gjithashtu Kompania “Fit-together” do të sponsorizojë ekipin A dhe Superligën me mjete që mundësojnë matjet vitale të parametrave gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve për futbollistë.

Lexo po ashtu Propozohet formimi i Ligës U21 në Kosovë

Me qëllim të zhvillimit më të mirë të futbollit, KE mori vendim për krijimin e Ligës U21.

Ndërkaq, me kërkesën e veçantë të Sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu, KE e liroi nga detyra e Sekretarit të përgjithshëm dhe e emëroi si drejtor për çështje sportive – Këshilltar senior Ligjor.

KE gjithashtu shqyrtoi edhe Ankesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi. /Telegrafi/