Komiteti Ekzekutiv (KE) i FFK-së sot (e enjte) mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e kryetarit Agim Ademi, ku diskutoi për shumë çështje në futbollin e Kosovës.
Sipas faqes së FFK-së, KE fillimisht shqyrtoi përgatitjet për fillimin e Kampionatit të ri 2021/2022 dhe konstatoi se përgatitjet po shkojnë sipas dinamikës së paraparë.
KE shqyrtoi edhe ecurinë e përgatitjes së aftësimit dhe instalimit të sistemit VAR, duke konstatuar se aftësimi i kuadrit dhe instalimi i VAR-it do të fillojë me ndeshjen e Superkupës, ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, e cila do të zhvillohet më 17 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe do të vazhdojë me ndeshjet e Superligës.
KE po ashtu miratoi vendimin që edhe në edicionin e ri 2021/2022, të drejtën televizive t’ia japë kompanisë “ArtMotion” për ndeshjet e Superligës dhe Ligës së Parë.
KE po diskuton për një marrëveshje për sponzorizimin e Superligës me BKT-në dhe për zhvillimin e Platformës digjitale për klube.
Po ashtu KE është në bisedime për sponsorizim të Ligës së Parë me kompaninë VIVA-Fresh.
KE është afër arritjes së Marrëveshjes për sponsorizim edhe të Ligës së Femrave dhe të gjyqtarëve të futbollit me Bankën Ekonomike. Gjithashtu Kompania “Fit-together” do të sponsorizojë ekipin A dhe Superligën me mjete që mundësojnë matjet vitale të parametrave gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve për futbollistë.
Me qëllim të zhvillimit më të mirë të futbollit, KE mori vendim për krijimin e Ligës U21.
Ndërkaq, me kërkesën e veçantë të Sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu, KE e liroi nga detyra e Sekretarit të përgjithshëm dhe e emëroi si drejtor për çështje sportive – Këshilltar senior Ligjor.
KE gjithashtu shqyrtoi edhe Ankesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi. /Telegrafi/