Telegrafi

Komiteti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës: BE të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor- Kosovës t’i liberalizohen vizat

Ka kaluar tepër shumë kohë që nga Marrëveshja e Dejtonit dhe premtimi i liderëve të Bashkimit Evropian në Selanik se do t’ia hapin derën për Ballkanin Perëndimor, dhe tani është koha që BE-ja ta përshpejtojë këtë, sepse ka një humbje shprese dhe zhgënjim në rajon, ka porositur sot Asambleja Parlamentare (AP) e Këshillit të Evropës (KE).

Në Rezolutë, të cilën e ka prezantuar eurodeputeti grek Jorgos Papandreu, të miratuar nga Komiteti i Çështjeve Politike dhe Demokracisë të këtij organi të KE-së, kërkohet që “BE të përshpejtojë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor duke vazhduar negociatat me Serbinë, Malin e Zi dhe të vazhdojë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriore, t’i jepet statusi i kandidatit Bosnjë-Hercegovinës, dhe të vendos regjimin e lëvizjes pa viza për qytetarët e Kosovës”.

Në dokument thuhet se ka kaluar kohë tepër e gjatë nga premtimet e paplotësuara të Bashkimit Evropian. “Kjo shkaktoi zhgënjim, humbje shprese, nxiti pretendimet etnocentrike dhe ambiciet nacionaliste, të cilat minuan bindjen, besimin në BE tek opinioni në rajon dhe hapi rrugën për të tjerët. faktorët gjeopolitikë”, transmeton Telegrafi.

Në mbledhjen e deputetëve të këtij Komiteti të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës iu drejtua edhe Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, por diskutimi i hapur dhe i drejtpërdrejtë u zhvillua prapa dyerve të mbyllura, kështu që nuk u bë publike asgjë për përmbajtjen, i kanë thënë agjencisë Beta, zyrtarë të afërt me Varhelyi në Bruksel.

Rezoluta e Komitetit të Asamblesë Parlamentare të KE thekson se “mbështetja për reformat demokratike, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor janë thelbësore për paqen, sigurinë dhe stabilitetin demokratik në të gjithë Evropën”.

Ndaj, siç nënvizohet, duhet shtuar mbështetja për ngritjen e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit, zhvillimin e një kulture më të fortë demokratike me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve, administratën publike në përputhje me normat evropiane.

Gjithashtu u theksua rëndësia e inkurajimit të pjesëmarrjes aktive të grave në jetën politike dhe vendimmarrjen politike, mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Rezoluta u bën thirrje organeve të KE të kontribuojnë në një proces të tillë reformash dhe thekson se të ofrohen metoda të prekshme për të mbështetur “perspektivën e qartë evropiane të Ballkanit Perëndimor”. /Telegrafi/