Site icon Telegrafi

Komisioni i Venedikut prej tani e tutje do të merret me çështjen e gjuhës shqipe (Video)

Tv Shenja bën të ditur se Komisioni i Venedikut prej tani e tutje do të merret me çështjen e gjuhës shqipe. Kjo pasi Qeveria e Maqedonisë, ka vendosur që pasi të përgatit propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve, të njëjtin do ta dorëzojë për konsultime në Komisionin e Venedikut. Edhe pse sipas zv. kryeministrit për çështje evropiane, Bujar Osmani, ligji për përdorimin e gjuhëve bën pjesë në grupin e parë të masave të propozuara që duhet të realizohen deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, mbetet e paqartë se sa kohë Komisioni i Venedikut do ta zvarrisë këtë çështje, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në fushën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, në drejtim të avancimit të implementimit të elementeve legjislative nga Marrëveshja Kornizë, Qeveria do të përgatisë ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili më pas do të dorëzohet në Parlament por edhe në Komisionin e Venedikut për konsultime”, tha Osmani.

Se ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të miratohet shumë shpejtë, këtë e deklaroi edhe kryeministri Zoran Zaev, i cili tha se megjithatë duhet të rrespektojnë procedurat demokratike , që është dorëzimi i këtij propozim ligji për konsultime në Komisionin e Venedikut.

“Qeveria njëzëri qëndron në miratim të shpejtë të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Duam t’i respektojmë procedurat demokratike dhe do të shkojmë me vendimin, siç edhe zv/kryeministri e tha atë që është shënuar, por absolutisht ne e shohim këtë çështje si sfidë që të zgjidhet sa më shpejtë, sepse duhet të kalojmë, para se gjithash në atë që është më me rëndësi, dhe ato janë problemet ekonomike të qytetarëve”, deklaroi Zaevi.

Qeveria shpalosi Planin 369, ku përfshihen reformat tek të cilat Qeveria e Maqedonisë do të fokusohet në tre, gjashtë dhe nëntë muajt e ardhshëm. Masat e propozuara nga grupi i parë, të cilat janë të përfshira në këtë plan janë, kuvendi demokratik, reformat në gjyqësor, reformat në administratë publike, reformat në media, kushte për zgjedhje të drejta dhe demokratike dhe reformat në strukturat e sigurisë./Telegrafi/

Exit mobile version