Site icon Telegrafi

Komisioni për Punë të Jashtme takohet me delegacionin nga Parlamenti i Kroacisë – flasin për dialogun e vizat

Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka pritur sot në takim një delegacion nga Komisioni për Çështje Evropiane të Parlamentit të Kroacisë.

Kryetari i komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët e çështje të tjera.

“Përpos bashkëpunimit bilateral në mes të dy shteteve tona, atij ndërparlamentar dhe ekonomik, temat tjera që u diskutuan gjatë këtij takimi kishin të bënin edhe me disa nga prioritetet e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, njëherit Politikës sonë të Jashtme, e që janë anëtarësimi  i Kosovës në Këshillin e Evropës, partneriteti për Paqe, si dhe bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, ku të gjitha vendet e rajonit gëzojnë trajtim të barabartë”, ka shkruar Abazi në Facebook.

“Gjatë këtij takimi u bisedua po ashtu edhe për situatën në Ukrainë, procesin e dialogut Kosovë-Serbi, procesin e integrimit të Kosovës në BE, situatën me 5 vendet të BE që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, si dhe procesin e liberalizimit të vizave”.

Krejt në fund, ka thënë se janë pajtuar që të vazhdohet bashkëpunimi dhe thellimi i marrëdhënieve ndërparlamendare si dhe realizimi i vizitave të komisioneve homologe. /Telegrafi/

Exit mobile version