Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)i ka dërguar letër kryeministrit të vendit, Albin Kurtit lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Në letër thuhet se fenomeni i zyrtarëve publik që në të njëjtën kohë ushtrojnë disa funksione, është parashtruar si çështje që cenon dhe dëmton rëndë integritetin dhe besimin institucional por edhe individual të zyrtarëve publik nga shoqëria civile.
Lexoni më poshtë letrën e plotë dërguar kryeministrit, Albin Kurti, publikuar nga drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj:
Letër e Institutit të Kosovës pë Drejtësi drejtuar kryeministrit Kurti më 26 prill 2021, lidhur me Komisionin për Provimin e Jurisprudencës.
I nderuar Kryeministër Kurti,
Më lejoni që në emër të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) të Ju drejtohem përmes kësaj shkrese lidhur me vendimin e Qeverisë Nr. 04/08 të datës 21 prill 2021, dhe aprovimin e propozimit të Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës (Komisioni).
IKD shpreh konsideratë të lartë për Ministrinë e Drejtësisë për të ndërmarrë veprime të shpejta për të funksionalizuar Komisionin, duke njohur rëndësinë e tij dhe kërkesat e juristëve të rinj për të realizuar të drejtën e tyre për dhënien e këtij provimi të rëndësishëm për karrierën dhe të ardhmen e tyre.
IKD po ashtu në parim vlerëson në masë të madhe integritetin personal dhe profesional të emrave të propozuar për këtë komision, përjashtimisht Kryetarit, në qoftë se rrethanat mbi të cilat gjendet z. Albert Zogaj, nuk do të ndryshojnë. Për informimin tuaj, z. Zogaj, përveç detyrës së tij parësore si gjyqtar në Gjykatën Supreme, aktualisht ushtron një numër të madh të pozitave në sistemin gjyqësor, në fushën akademike dhe atë të sektorit të shoqërisë civile.
Respektivisht, z. Albert Zogaj, në sistemin gjyqësor ushtron:
- Pozitën e gjykatësit në Gjykatën Supreme të Kosovës;
- Anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
- Anëtar rezervë në Komisionin e Përhershëm për Administrimin e Gjykatave (KGJK);
- Anëtar i Komisionit Vlerësues për kandidatët për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren (KGJK);
- Anëtar i grupit punues për hartimin e raportit fakt-mbledhës për funksionimin e administratës gjyqësore (KGJK).
- Zogaj po ashtu ka edhe këto angazhime shtesë:
- Ligjërues në Kolegjin AAB;
- Trajnues në Akademinë e Drejtësisë; dhe
- Kontratë aktive si konsulent më një Organizatë Jo-Qeveritare.
Për më tepër, në KGJK ishte propozuar për kryetar të Komisionit të Përhershëm për Vlerësimin e Performancës së Gjykatësve, pozitë që e ka refuzuar me arsyetimin se është shumë i ngarkuar me punë. Një qasje e tillë nuk përkon me integritetin e një zyrtari publik, të hezitoj të marr përgjegjësi në një komision kaq të rëndësishëm në sistem gjyqësor dhe të pranoj përgjegjësi që vinë nga dy pushtete tjera si ekzekutivi dhe legjislativi në rastin konkret.
Fenomeni i zyrtarëve publik që në të njëjtën kohë ushtrojnë disa funksione, është parashtruar si çështje që cenon dhe dëmton rëndë integritetin dhe besimin institucional por edhe individual të zyrtarëve publik nga shoqëria civile, njohur dhe përkrahur edhe nga partnerët ndërkombëtar dhe partia që Ju udhëhiqni. Mu për këtë, në vitin 2018, ishte miratuar Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, si kusht për liberalizimin e vizave dhe Agjendën e Reformës Evropiane. Sipas kërkesës së shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtar, ky ligj ka rregulluar së paku dy fusha të rëndësishme që lidhen me këtë shkresë.
Së pari në kufizimin e pozitave që një zyrtar i lartë publik mund të ushtroj në të njëjtën kohë, dhe së dyti kufizimin e pranimit të vetëm një page nga sektori publik dhe kompensimi vetëm sa i përket shpenzimeve të udhëtimit për pozitat tjera që mund t’i mbajë. Pozitat shtesë janë të kufizuara vetëm në ato raste kur me ligj shprehimisht është e përcaktuar se zyrtari është pjesë e një organi sipas detyrës zyrtare. Përderisa fenomeni i emërimit të zyrtarëve të caktuar në numër të madh të pozitave dhe funksioneve ka qenë një praktikë e pranuar nga qeveritë e kaluara, IKD shpreson fuqishëm se një qasje e tillë nuk do të tolerohet dhe të jetë e pranueshme dhe të legjitimohet edhe nën qeverisjen Tuaj.
Ushtrimi i një varg pozitave dhe funksioneve të zyrtarit publik brenda orarit të punës dhe pranimi i disa pagave dhe shpërblimeve përmes shtesave apo kompensimeve me para të buxhetit të Kosovës, përveç që shkel Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Kodin Penal të Kosovës, po ashtu cenon rëndë integritetin e sektorit publik dhe garantimin e kryerjes së detyrave publike në mënyrë efikase, objektive, të paanshme dhe transparente dhe në shërbim të interesit publik.
Aq më tepër kur në situata të tilla përfshihen gjykatës dhe prokurorë, funksione të cilat në çdo shoqëri demokratike konsiderohen si funksione fisnike, dhe se të njëjtit do të duhej të ishin kampion të ndershmërisë, integritetit dhe respektimit të ligjshmërisë, në mënyrë që të njëjtit të jenë shembull për t’u ndjekur edhe nga zyrtarët e sektorit publik. Për të ilustruar këtë problematikë, Ju informoj se në bazë të deklarimeve të pasurisë të bëra në vitin 2020, ka pasur prokurorë apo gjykatës që kanë pranuar shpërblim në pagë dhe kompensime që kanë arritur vlerën e 54 mijë euro në vit, dhe ku numri i tyre që pranojnë mes 34 deri 40 mijë euro brenda vitit është më dhjetëra. Në këtë mes hyn edhe z. Zogaj, dhe kjo shumë do të rritej edhe për disa mijëra euro, nëse i njëjti do të kalojë në votim nga Kuvendi i Kosovës.
Qeveritë e kaluara në heshtje kanë pranuar dukuri të tilla negative që cenojnë rëndë parimet e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe shpenzimit të parasë publike. Për IKD-në dhe besojmë fuqishëm edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës, vazhdimi i një qasje të njëjtë do të ishte jashtëzakonisht zhgënjyese, vazhdimësi e keq qeverisjes dhe promovimit të zyrtarëve të caktuar publik në kundërshtim me vlerat dhe parimet që Ju keni promovuar deri më tani.
I nderuar Kryeministër Kurti, më lejoni që të ju rikujtojë edhe reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, të datës 20 mars 2019, ku janë paraqitur pothuajse të gjitha pikat që u përmendën më lartë, si anti-vlera të angazhimeve të shumëfishta të zyrtarëve publik.[1] Për më tepër, ministrja Haxhiu, ka kërkuar nga AKK që të zbatojë Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin të Funksionit Publik. Prandaj, IKD vlerëson se procedimi i mëtutjeshëm i një propozimi të tillë, që në gjenezën e tij është i gabueshëm, anti-ligjor, është edhe kontradiktë e qëndrimeve Tuaja dhe partisë që udhëhiqni.
Në këtë drejtim, IKD si organizatë jo-qeveritare e specializuar në fushën e sundimit të ligjit, më mirësjellje Ju kërkon që të ri-shqyrtoni vendimin tuaj dhe të ndërmerrni masa apo veprime Ju si udhëheqës i qeverisë apo z. Zogaj personalisht që deri në një masë riparojnë këtë situatë. Kjo situatë mund të riparohet duke anuluar vendimin e datës 21 prill 2021 në raport me z. Zogaj. Sikurse deri në një masë, mund të konsiderohet ligjërisht e pranueshme nëse z. Zogaj, ofron dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat që ushtron aktualisht, përjashtimisht pozitës së Gjykatësit në Gjykatën Supreme, për tu konsideruar si Kryetar i Komisionit.
Aq më tepër, sipas Ligjit për KGJK, kryesuesi, zëvendës-kryesuesi dhe anëtarët e Këshillit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehen me pagesë, përveç mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë. Kjo dispozitë automatikisht e përjashton z. Zogaj nga mundësia për të qenë, ashtu siç është propozuar, Kryetar i Komisionit.
Dhe krejt në fund, Kosova ka miratuar legjislacion shumë të avancuar në parandalimin e konfliktit të interesit, mirëpo ky legjislacion do të mbetet vetëm në letër nëse nuk zbatohet në praktikë.
Mbesim me shpresë se praktika e viteve të kaluara të ndërpritet dhe kërkesat dhe shpresa e qytetarëve për shtet ligjor, qeverisje të mirë do të jetësohet.
Ju falënderojmë për konsideratën tuaj dhe mbesim në dispozicion të Ju ofrojmë dokumente shtesë sipas kërkesës tuaj lidhur me përmbajtjen e kësaj shkrese. /Telegrafi/