Telegrafi

Komisioni parlamentar voton Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, tash radha në Kuvend (Video)

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka votuar sot pro Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe dy Projektligjet tjera për FSK-në.

Transformimi i FSK-së i bëri bashkë pozitë e opozitë, të cilët i mbështetën projektligjet, me përjashtim të Listës Serbe, përfaqësuesi i së cilës në këtë komision u shpreh kategorik kundër, duke paralajmëruar njëherësh se nuk do të votojnë pro shndërrimit në ushtri të Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka përkrahur projektligjet e paraqitura në këtë mbledhje të komisionit.

“Vota imë është për, që të procedohen këto projektligje. Është e padiskutueshme që këto projektligje të votohen, ne i përkrahim”, ka thënë Beqiri, raporton Telegrafi.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fatmir Xhelili ka thënë se vota e PDK-së është pro këtyre projektligjeve.

“Vota ime dhe e PDK-së është për”, u shpreh Xhelili.

Mbështetje këtyre projektligjeve i ka dhënë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.

Selimi rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e LVV-së për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“E rikonfirmoj votën tonë, të LVV-së për, për këto tri projektligje. Deklaroj mbështetjen tonë për këto tri projektligje edhe pse nuk jemi të kënaqur me punën në këto projektligje pasi duhet të punohet më shumë”, ka thënë Selimi.

Ndërkaq, deputeti Zoran Mojsinoviq nga Lista Serbe ka paralajmëruar se kjo parti është kundër shndërrimit të FSK-së në ushtri dhe sipas tij kjo po bëhet në kundërshtim me rekomandimet e marra nga NATO. /Telegrafi/