Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pranuar sot raportin përfundimtar të punës së Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës.
Të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramiz Kelmendi, si dhe anëtarët e Komisionit të ekspertëve.
“E pranuam këtë detyrë, sigurisht jo të lehtë, dhe e konsideruam si çështje madhore shtetërore dhe kombëtare”, tha kryetari i Komisionit, akademiku Hivzi Islami. “Mendoj se është një rezultat i qëndrueshëm profesionalisht, shkencërisht, që do t’i shërbejë për të mirë edhe shtetit, edhe shoqërisë, edhe shkencës dhe të vërtetës dhe të gjithë Kosovës”.
Mustafa ka falënderuar Islamin dhe anëtarët e Komisionit për punën dhe përkushtimin e tyre.
“Ju e keni bërë një punë të veçantë, por ne para qytetarëve mendoj se po japim një përgjigje meritore dhe një përgjigje shumë të saktë”, tha Mustafa.
Me dorëzimin e raportit përfundimtar, Komisioni ka përfunduar punën e tij. /Telegrafi/