Është shtyrë për mbledhjen e radhës raportimi i zv. kryeministrit, njëherësh ministër i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi, para Komisionit për Integrime Evropiane.
“Për shkaqet e mosprezencës së tij, komisioni u njoftua nga kryetarja Njomza Emini, e cila tha se ministri është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Ndërkaq, për mungesën e tij në mbledhjen e sotme të Komisionit, ajo bëri të ditur se është njoftuar paraprakisht prej tij.
U vijua më pas me shqyrtimin dhe përkrahjen e Projektligjit për kundërvajtje, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së”, thuhet në njoftimin për media.
Në vijim, debat i gjerë është zhvilluar lidhur me raportimin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi. Lidhur me këtë, anëtarët e komisionit, (përpos përfaqësueses së VV-së, Donika Kadaj –Bujupi, e cila kërkoi që Kuvendi në mbledhje plenare të hedhë poshtë marrëveshjen për demarkacionin), pjesa tjetër e komisionit, vlerësoi se lidhur me këtë çështje duhet organizuar tryezë pune.
‘‘Duhet të ballafaqohen qëndrimet dhe argumentet e të dyja palëve: të atyre që e mbështesin marrëveshjen dhe të atyre që e kundërshtojnë atë, në mënyrë që ne të mund të formojmë qëndrim lidhur me këtë çështje’’, u shpreh deputeti, Bislim Zogaj.
Vjosa Osmani e Luljeta Veseli – Gutaj, ndërkaq, ishin të mendimit që në këtë tryezë të jenë pjesëmarrës ekspertë të fushës, deputetë, si dhe shoqëria civile, në mënyrë që mbi bazën e fakteve të paraqitura me atë rast, deputetët ta kenë më të lehtë të vendosin për votën e tyre.
Në fund, Komisioni u përcaktua që gjatë ditëve në vijim, të fillojë përgatitjet për këtë tryezë, e cila pritet që të mbahet në objektet e Kuvendit./Telegrafi/