Telegrafi

Komisioni i Murat Mehës deklarohet se ka fakte të reja për Demarkacionin (Foto)

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror ka prezantuar, siç thonë, argumente shtesë që sipas tyre “konfirmojnë saktësinë e gjithanshme të procesit të shënjimit të kufirit me Malin e Zi”!

“Me fakte të pakundërshtueshme, bëhet e qartë se Kosova nga ky proces nuk ka humbur as një metër të territorit, se procesi është kryer në përputhje të plotë me të gjitha standardet, dokumentet dhe procedurat bashkëkohore ndërkombëtare, të cilat mund të konfirmohen në çdo kohë dhe në të gjitha aspektet”, thuhet në një komunikatë për media.

Sipas Komisionit, në materialet që kanë ata “konfirmohen edhe kundërthëniet e kundërshtuesve të këtij procesi”.

“Në vitin 2007, me dokumente zyrtare konfirmojnë se procesi aktual është plotësisht në rregull, ndërsa sot bëjnë manipulime të të dhënave që vet i kanë krijuar. Fjala është për ish-kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Përparim Ameti, i cili së bashku me disa prej kundërshtuesve të sotëm, zyrtarisht e vërteton sipërfaqen dhe kufirin e Kosovës. Ameti dhe kolegët e tij, në vitin 2007 kanë prezantuar hartat me kufijtë identik të viteve 1974-1988-1999-2016, kufi i vërtetuar edhe nga komisioni shtetëror”, thuhet në një komunikatë. /Telegrafi/