Telegrafi

Komisioni Evropian i jep “dritën jeshile të fundit” – Remdesivir do të përdorët për trajtimin e pacientëve me COVID-19

Përdorimi i ilaçit Remdesivir për të trajtuar raste të rënda të COVID-19 në Bashkimin Evropian është aprovuar nga Komisioni Evropian.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Komisioni Evropian ka thënë se ka aprovuar përdorimin e Remdesivir për të trajtuar raste të rënda të COVID-19 në Bashkimin Evropian.

“Ne nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur në përpjekjet tona për të siguruar trajtime efikase ose vaksina kundër coronavirusit”, ka thënë Stella Kyriakides, komisare e shëndetit e BE-së, në një deklaratë për shtyp.

Miratimi nga krahu ekzekutiv i BE-së, i lëshuar të premten, ishte hapi i fundit që ilaçi të merrte dritën jeshile.

Lexo po ashtu “Ilaçi për pacientët me COVID-19”: Çka është Remdesiviri dhe pse po e kërkojnë të gjithë?

Siç thuhet më tej, ky është ilaçi i parë që fiton një aprovim të tillë për t’u përdorur në BE.

Një lajm i tillë pason një rekomandim nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), e cila javën e kaluar tha se ilaçi – i shitur nën emrin Veklury – duhet të aprovohet për trajtimin e pacientëve COVID-19 mbi moshën 12 vjeç, të cilët kërkojnë oksigjen shtesë.

Remdesivir, prodhuar nga ndërmarrja bioteknike amerikane Gilead Sciences, fillimisht u zhvillua si një trajtim për Ebola, por ai pati pak efekt.

Ndërkohë një studim ndërkombëtar në fund të prillit me mbi 1000 pjesëmarrës tregoi se Remdesivir mund të zvogëlojë kohën e nevojshme për pacientët COVID-19 të shërohen mesatarisht nga 15 në 11 ditë. /Telegrafi/