Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka përjashtuar Arianit Ahmetin nga organizata e futbollit.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën (16 dhjetor 2019), KD ka marrë vendim bazuar në Rregulloret Disiplinore të FFK-së.
“Arianit Ahmeti në procedurë të hapur disiplinore pas shkarkimit nga Komiteti Ekzekutiv për shkelje të statutit të FFK-së neni 12 pika I, shkelje të kodit të etikës neni 5 dhe 6: dënohet me masën disiplinore, përjashtim nga organizata e futbollit bazuar në nenin 63 paragrafi 1, pika 4”, thuhet në vendimin e KD-së.
Më poshtë është dhënë edhe arsyetimi i këtij vendimi.
“Komisioni disiplinor ka konstatuar se i lartpërmenduri ka shkelur nenin 106 të Rregullores Disiplinore, ku ka anuluar vendimin e Komisionit Disiplinor të datës 05.11.2019 , duke cenuar nenin 41, paragrafi 2, pika a të statutit të FFK-së. Po ashtu i njëjti ka shkelur rëndë nenin 13 të kodit të etikës, duke u deklaruar për media pa autorizim nga ana e udhëheqësve të futbollit. Po ashtu i njëjti ka shkelur nenin 5 dhe 6 të kodeksit ku parashihet se të gjithë anëtarët e organizatës së futbollit duhet të veprojnë në përputhshmëri të këtyre neneve”, shkruan në arsyetimin e Komisionit Disiplinor.
Ahmeti është shkarkuar edhe nga pozita e zëvendës sekretarit të FFK-së nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, pasi i njëjti ka kërkuar nënshkrime nga klubet për thirrje të Kuvendit Zgjedhor për shkarkimin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi.