Subjektet politike kanë nisur me akuza ndaj njëra-tjetrës, derisa ende Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Përplasjet virtuale nuk mungojnë gjatë kësaj kohe, e po ashtu edhe deklaratat se cilat parti mund të bëhen bashkë për formimin e qeverisë, transmeton Telegrafi.
Zëvendësministri i Drejtësisë nga radhët e LVV-së, Blerim Sallahu, sot gjatë ditës ka shkruar në Facebook, se Fatmir Limaj dhe Nisma kanë të drejtë demokratike, kushtetuese dhe ligjore që pas zgjedhjeve të bëjnë koalicion paszgjedhor me partitë aktuale në skenën politike.
Por, një sqarim rreth kësaj e bëri sërish ai, duke shkruar se statusi i tij ka vetëm kuptim juridik dhe jo politik.
“Sqarim: Statusi im paraprak ka kuptim veç juridik e kurrsesi politik. Kjo qëllimshëm është keqinterpretuar prej disa mediave”, tha ai.
Në postimin e mëhershëm, Sallahu deklaroi se “Përtej shpifjeve, kritikave të pabaza, insinuatave, të bëra nga akterë politik e parpolitik, Fatmir Limaj dhe Nisma kanë respektuar në përpikmëri koalicionin parazgjedhor me një parti në shuarje siç është AAK”.
Ndryshe, Fatmir Limaj mbrëmë ka bërë thirrje për bashkëpunim mes partive politike për të shmangur një krizë qeveritare pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se kush i bën ftesë për t’u ulur në tavolinë, ai do t’i përgjigjej “për të mirën e vendit”.
“Kush të më ftojë në tavolinë, unë shkoj ulna – për tema nacionale. Çka po të vyen një qeveri jo funksionale, kurrë. Nuk hyjë në një qeveri jofunksionale. As me opozitën nuk e përjashtojë që ulem”, ka thënë ai në një intervistë.
Sipas rezultateve preliminare, LVV ka marrë 40.89%, PDK ka marrë 22.40%, LDK ka marrë 17.23% dhe AAK-Nisma ka marrë 7.40%./Telegrafi/