Site icon Telegrafi

Komentet për Suedinë, Trump sqaron gafën

Shtëpia e Bardhë u përpoq të zbuste furtunën e shkaktuar nga komentet e Donald Trumpit mbi një sulm terrorist në Suedi, i cili i bëri banorët e vendit të qetë skandinav të ngrenë supet.

Shpjegimi që japin këshilltarët e Trumpit është se presidenti amerikan po fliste “për rritjen e krimit në përgjithësi”, kur u përpoq t’i mbronte idetë e veta mbi ndalimin e hyrjes së refugjatëve dhe emigrantëve nga 7 vende me shumicë myslimane, duke i ilustruar me shembuj nga vendet europiane.

“Shikoni ç’po ndodh në Gjermani, – u tha Trump simpatizantëve të mbledhur në një tubim në Florida të shtunën. – Shikoni çfarë ndodhi në Suedi mbrëmjen e kaluar. Kush do ta besonte vallë? Suedia… Kanë pranuar gjithë ata refugjatë e tani kanë probleme, që kurrë nuk ua kishte marrë mendja”.

Kaq u desh, që njerëzit të bombardonin rrjetet sociale, të çuditur nga pretendimet e kreut të shtetit amerikan, duke qenë se në Suedi nuk ka ndodhur asnjë incident me sfond terrorist.

Deklarata polemizuese vuri në lëvizje edhe autoritetet. Të dielën, Ambasada suedeze në Uashington iu drejtua Departamentit amerikan të Shtetit me kërkesën për sqarim. “I drejtuam pyetjen dhe tani po presim përgjigje”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Suedisë, Catarina Axelsson, përcjell tch.

Vet Trumpi e dha shpjegimin e tij pasditen e djeshme, me një mesazh në “Twitter”, ku thoshte se deklarata mbi Suedinë i referohej një emisioni të transmetuar te “Fox News” mbi emigrantët në këtë vend.

Politikat e tij debatndjellëse vazhdojnë të kundërshtohen në Shtetet e Bashkuara. Protesta më e fundit u mbajt në Nju Jork, ku mijëra vetë mbushën sheshin “Times Square” në shenjë solidariteti me komunitetin mysliman.

“Ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin, ndaj them se sot, mysliman jam edhe unë”, tha një protestues.

Exit mobile version