Telegrafi

Komentet e Konates për Ronaldon zbulojnë qëndrimin e tij ndaj Messit teksa Franca përgatitet për finalen ndaj Argjentinës

Fituesi aktual i Kupës së Botës, Franca do të përballet me Argjentinën në finalen e “Katar 2022” të dielën pasdite.

Kampionët në fuqi rezervuan vendin e tyre në ngjarjen kryesore të futbollit botëror me një fitore të vështirë 2-0 ndaj Marokut në gjysmëfinalen e tyre të mërkurën mbrëma.

Theo Hernandez i dha Francës epërsinë me një gol të bukur vetëm pesë minuta pas ndeshjes, me Marokun që pastaj e vuri Francën nën presion të madh në pjesën e dytë, por nuk arriti të gjente golin e barazimit dhe pranoi një gol tjetër me anë Randal Kolo Muani, i cili vulosi rezultatin përfundimtar.

Mbrojtësi i Liverpoolit, Ibrahima Konate mori lëvdata për performancën e tij gjatë gjysmëfinales, pasi filloi në qendër të mbrojtjes së bashku me Raphael Varane.

Konate u kthye në formacionin fillestar pasi Dayot Upamecano u përjashtua për shkak të sëmundjes së bashku me mesfushorin Adrien Rabiot.

Djaloshi i ri dukej një prani solide në prapavijë për kampionët në fuqi dhe tani ka thirrje që ai të mbajë vendin e tij në ekip për finalen e së dielës.

Është një rritje e jashtëzakonshme për Konaten, i cili ka luftuar për minuta të tëra këtë sezon te Liverpooli dhe ishte një përfshirje e papritur në skuadrën e Francës në Kupën e Botës.

Konate do të përballet me Messin në finale

Nëse ai fillon kundër Argjentinës, Konate do të ngarkohet të ndalojë Lionel Messin, i cili po kërkon të fitojë Botërorin e tij të parë në mundësinë e tij të fundit për ta bërë këtë.

Messi është gjithashtu në kërkim të Këpucës së Artë dhe është golashënuesi më i mirë në turne së bashku me sulmuesin francez Kylian Mbappe me pesë gola.

Konate nuk ka gjasa të jetë i tmerruar duke u përballur me shtatë herë fituesin e Topit të Artë, veçanërisht nëse shihen komentet e tij në të kaluarën për rivalin e madh të Messit, Cristiano Ronaldo.

“Unë u befasova sepse ai është një nga lojtarët më të mirë në botë, por ai është vetëm njeri si unë. Ai ka dy duar dhe dy këmbë. Më duhej të fokusohesha në lojën time me ekipin dhe ishte mirë, ishte në rregull”, deklaronte Konate pasi u përball me Ronaldon në fitoren 5-0 të Liverpoolit ndaj Manchester Unitedit.

Këto komente sugjerojnë se Konate nuk frikësohet nga përballja me lojtarët që konsiderohen si më të mëdhenjtë e gjeneratës së tyre.

Dhe mbrojtësi i Liverpoolit do të dëshirojë të dëshmojë se Messi është gjithashtu “vetëm njeri” të dielën. /Telegrafi/