“Kombi ynë është në vdekje”. Më këto fjalë iu drejtua Sali Berisha kuvendit kombëtar të rithemelimit, ku pritet votëbesimi i tij si kryetar.
Në një dekadë qeverisje nga socialistët, Berisha ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama si shkaktar të shpopullimit dhe humbjes së shpresës së shqiptarëve.
“Të bëjmë një reflektim më të thellë se ky fundvit shënon një dekadë nga më të zezat në historinë e Shqipërisë, një dekadë ku humbën votën e lirë, kombi humbi shpresën dhe 1/3 e gjakut të tij. Arritjet tona u shpërbënë. Shteti ligjor u zëvendësua me narko-shtetin.
Sot kombi ynë është shpresëhumbur, është një komb që lëngon se trupi i tij është i kapluar nga metastazat e drogës e krimit. Është një komb që dergjet në varfëri e skamje, se është kombi më i plaçkitur ndër kombet e Evropës.
Prona private grabitet jo më nga komunistët, por nga investitorët strategjikë. Shqiptarët vijojnë të persekutohen nga bandat e qeverisë dhe patronazhistët. Nuk kemi më gjykata popullore, por kemi skapin e gjykatat e partisë, grupet e strukturuara kriminale”, ka thënë Berisha.
Ai tha se Tirana është kthyer në Beograd të dytë kundër Kosovës.
“Interesin kombëtar ia kemi shitur Serbisë, duke e shndërruar Tiranën në Beograd të dytë kundër Kosovës”.
Përveç shpopullimit, ai akuzoi Ramën edhe për uljen e numrit të lindjeve në vend dhe rikthimin e burgosjeve politike.
“Më keq se në tërë historinë kombëtare popullsia është ulur me 35 për qind në 10 vjet. Me braktisjen masive të vendit dhe dominimin e vdekjeve mbi lindjet, për herë të parë kombi ynë është një komb në vdekje, gjë që nuk ndodhi as në komunizëm.
Të gjitha këto ndodhin nën shëmbëlltyrën e një demoni që ka rrëmbyer të gjitha pushtet dhe kërkon të mbajë pushtetin me forcë dhe ky demon është Edi Rama. Jemi në kushtet e një diktature të re në narko-diktaturë ku njëlloj si në diktaturën ideologjike u rikthyen burgosjet politike të opozitës”, tha ndër të tjera Berisha në kuvendin kombëtar të rithemelimit. /A2CNN/Telegrafi/