Telegrafi

Kombi që mori flakë në autostradë po barte para, kompania thotë se ato nuk janë dëmtuar

Një kombi i kompanisë së sigurimeve “Besa Security”, ka marrë flakë në autostradën Prishtinë-Prizren, afërsisht në Malishevë mesditën e së mërkurës.

Kompania në fjalë ka njoftuar se deri te aksidenti ka ardhur për shkak të një defekti në motor, ndërkaq konfirmohet se nuk ka të lënduar.

Po ashtu, paratë e gatshme të cilat ishin duke u bartur me këtë automjet, sipas njoftimit të kompanisë nuk janë dëmtuar.

“Sot para pak kohësh, në autostradën Ibrahim Rugova, si pasojë e një defekti në motor të veturës së Transportit të Parave të Gatshme, është kapluar vetura në zjarr. Përveç dëmeve kolaterale të veturës, ekipi i Transportit të Parave të Gatshme janë të gjithë shëndosh e mirë dhe nuk ka asnjë dëmtim të parave të gatshme”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Ndryshe, në fotografitë që janë dërguar në redaksi të Telegrafit, shihet se vetura ka marrë flakë në pjesën e përparme.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Sot rreth orës 12:00 në autostradën “Ibrahim Rugova” afër hyrje-daljes Malishevë është pranuar informata se një automjet është kapluar nga zjarri. Njësitet përkatëse iu kanë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarr veprimet e nevojshme”, tha Hoxha. /Telegrafi/