Telegrafi

Kombëtarja U21 zbardh listën, Bushi: Jemi më të mirë se Irlanda

Kombëtarja shqiptare e U21 do të luajë ndeshjen e radhës së eliminatoreve të europianit me Irlandën e Veriut, ku kuqezinjtë pretendojnë për një rezultat pozitiv.

Në konferencën për shtyp në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri Alban Bushi edhe pse është i bindur për vështirësinë e këtij takimi shprehet optimist për arritjen e objektivit.

“E respektojmë Irlandën e Veriut dhe ndaj saj do të luajmë pa frikë. Ajo që duam është të shënojmë, ndoshta në minutën e 95-të, siç bënë ata në ndeshjen e parë. E dimë që do ta kemi të vështirë pasi Irlanda e Veriut është një skuadër që nuk të lejon të luash. Për ne rezultati merr shumë vlerë sidomos këtë radhë, pasi objektivi ynë është vendi u dytë”, thotë trajneri.

Bushi nuk do të ketë në dispozicion në këtë ndeshje Ramadanin, që është thirrur në Kombëtaren A nga trajneri Panucci.

“Skuadra U21 ka shumë lojtarë që mund të luajnë në Kombëtaren A, por secili prej tyre duhet të japë maksimumin për këtë, ashtu siç bëri edhe Ramadani”, deklaron Alban Bushi.

Në 23 emrat e përzgjedhur nga trajneri ka disa risi por nuk mungojnë as lojtarët e rëndësishëm si Keidi Bare, Endri Çekiçi, Qazim Laçi e Ylber Ramadani.