Kombëtarja shqiptare e femrave i mbylli me një humbje minimale eliminatoret e Botërorit të vitit 2019.
Vajzat e drejtuara nga Armir Grima u mposhtën 2-1 në Loro Boriçi të Shkodrës nga Skocia në ndeshjen e fundit të Grupit 2.
Për Skocinë kjo sfidë vlente jashtëzakonisht, pasi britaniket me suksesin e ngushtë në Shkodër ndaj Shqipërisë siguruan kualifikimin direkt në Botëror pasi e mbyllën grupin në vendin e parë me 21 pikë, dy më shumë se Zvicra që ngeci në një barazim pa gola përballë Polonisë.
Skocezet e nisën shumë mirë sfidën duke kaluar në avantazh që në minutën e nëntë me Little.
Megjithatë, Megi Doci riktheu baraspeshën në sekondat e fundit të pjesës së parë me një gol.
Gjithsesi në pjesën e dytë skocezet gjetën golin e fitores me Ross në minutën e 68. Dominimi i skuadrës mike ishte evident, por për meritë të portieres Rexhepi rezultati nuk u thellua.
Shqipëria e mbylli grupin e dytë në vendin e katërt me katër pikë të grumbulluara duke lënë në vend të fundit Bjellorusinë dhe duke treguar se pas kalimit të fazës paraeliminatore dhe vendit të katërt në grupin eliminator, niveli i futbollit të femrave në Shqipëri po rritet dukshëm. /SS/