Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë sot (e enjte) në udhëtim te Andorra në ndeshjen e vlefshme kualifikuese për Kupën e Botës “Katar 2022”.
Gjatë ditës së djeshme (e mërkurë) kanë filluar ndeshjet e para të grupeve për eliminatoret e Kupës së Botës, ndërsa këto ndeshje vazhdojnë edhe sot me disa grupe tjera.
Është pikërisht kombëtarja shqiptare e cila fillon sot ciklin eliminator me ndeshjen e parë të vlefshme për Grupin I.
Kuqezinjtë e fillojnë kampanjën në udhëtim te Andorra, në takimin i cili pritet të zhvillohet nga ora 20:45 në Estadi Nacional (Andorra la Vella).
Ekipi i Edoardo Rejas është i kompletuar dhe gati për ta nisur sa më mirë aventurën kualifikuese dhe presin t’i marrin tri pikët e para.
Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen tjetër më 28 mars në Tiranë ndaj Anglisë, takimi i tretë do të luhet më 31 mars ndaj San Marinos në udhëtim. /Telegrafi/