Telegrafi

Kombëtarja e Shqipërisë nis grumbullimin

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur sot grumbullimin për ndeshjen miqësore kundër Luksemburgut që do të luajë të dielën.

Ndryshe nga herët e tjera, kuqezinjtë janë grumbulluar direkt në Luksemburg, duke udhëtuar drejt këtij shteti gjatë ditës së sotme dhe filluar atje përgatitjet për takimin.

Nën urdhrat e De Biazit janë vënë pjesa më e madhe e futbollistëve të grumbulluar nga tekniku i kuqezinjve, pasi ishin të pranishëm 19 futbollistë.

Mungonin në seancën e sotme sulmuesit Sadiku e Cikalleshi, të cilët kanë ende ndeshje për të luajtur në kampionatet përkatëse dhe vetëm pas përfundimit të këtyre takimeve do t’i bashkohen grupit.

Gjithashtu, mungesa ishin edhe ato të Hykës dhe Llullakut. Të dy janë mungesa të sigurta për ndeshjen kundër Luksemburgut, pasi do të presin ekipin në Turqi, për pjesën e grumbullimit pas zhvillimit të këtij takimi.

Vonesa në grumbullim e dy qendërsulmuesve dhe mungesa e sigurt e dy lojtarëve të krahut, bëjnë që De Biazi të ketë zgjedhje thuajse të detyruara dhe një formacion shumë eksperimental për ndeshjen miqësore.