Ushtarët e Forcave të Armatosura të Kosovës (FSK) po marrin pjesë në ushtrimin “Cambrian Patrol 2022”.
Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj duke shtuar se ky ushtrim është gara më e famshme e Ushtrisë britanike dhe aleatëve të saj.
“Komandot tona janë në përgatitje intensive për pjesëmarrje të suksesshme në ushtrimin ‘Cambrian Patrol 2022’. Ushtrimi është gara më e famshme patrulluese e Ushtrisë britanike dhe mbi 100 forca aleate të saj, e cila mbahet në Uells nga 07-16 tetor 2022”, njofton Mehaj në Facebook.
Sipas tij, qëllimi i këtij ushtrimi është të ofrojë një trajnim të klasit botëror.
“Qëllimi i këtij ushtrimi është të ofrojë një ushtrim sfidues patrullimi të klasit botëror në mënyrë që të përmirësojë aftësinë operacionale. Kjo ngjarje ka evoluar në një stërvitje me kosto efektive dhe të gatshme që oficerët komandues mund ta përdorin për të konfirmuar standardet bazë të trajnimit të ushtarëve të tyre, në përgatitje për operacionet e ardhshme. Është i përqendruar në mision dhe i bazuar në skenar, me role të ndryshme tejet sfiduese në veprime taktike luftarake. Forca djema! Ne kemi besimin e plotë se do të na bëni krenar edhe kësaj radhe!”, përfundon ai. /Telegrafi/