Enver Avdyli, komandant i Policisë në Shtime, është plagosur me mjet të mprehtë nga djali i vëllait të tij, B. Avdyli
Mësohet se toger Enver Avdyli ka marrë edhe ndihmë mjekësore dhe ka pasur një ndërhyrje të lehtë kirurgjike.
Në kohën kur ai është plagosur, të hënën në mbrëmje, mësohet se ka qenë jashtë orarit zyrtar.
Nipi i tij, i cili dyshohet se ia ka shkaktuar plagën, është nën masën e arrestit policor dhe është i shtrirë në QKUK, ku është duke u ruajtur nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
I kontaktuar nga KALLXO.com, Enver Avdyli e ka mohuar që është lënduar me thikë nga nipi i tij.
Ai përmes telefonit ka thënë se ndodhet në pushim vjetor dhe se asgjë nuk është e vërtetë rreth incidentit ku ai ka mbetur i plagosur me mjet të mprehtë nga nipi i tij B. Avdyli.
Në anën tjetër lajmin se komandanti i Policisë së Shtimes Enver Avdyli është plagosur nga nipi i tij e ka konfirmuar për KALLXO.com, Basri Shabani, nga Policia e Rajonit të Ferizajt.
“Po, ka ndodhur ai rast. Mund t’ua konfirmoj se ka ndodhur. Ai ka pasur problem me prindërit e vet dhe togeri derisa ka dalë me i nda e ka sulmuar edhe togerin, e ka lënduar në dorë. Kjo është e tëra. Togeri nuk ka pasur kurrfarë problemi më të dhe ka qenë në pushim vjetor, jashtë detyrës zyrtare, në shtëpi të vet, e ka dëgjuar zhurmën dhe kur ka dalë e ka parë djalin e vëllait duke bo telashe me babë dhe me nënë. Dhe ky ka ndërhy me i nda dhe ai ka tentu me therë, edhe këtë e ka lënduar në dorë dhe ka patur ndërhyrje kirurgjike në Prishtine”, ka thënë major Basri Shabani.
“Pasi ky rast ka ndodhur personi i dyshuar ka shkuar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë në repartin e Psikiatrisë edhe është i shtrirë aty. Ai ndodhet nën arrest policor. Policia janë duke e ruajtur aty”, ka deklaruar major Shabani.