Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, tha se KFOR-i ka ofruar mbështetjen e nevojshme në sulmin e 29 nëntorit në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit.
Barduani shtoi se teksa sulmi ndodhi, KFOR-i ka reaguar shpejt për të siguruar zonën e prekur, dhe theksoi edhe një herë që këtë sulm, si KFOR-i ashtu dhe NATO, e dënojnë fuqishëm, ndërsa dorasit duhet të dalin para drejtësisë.
Po ashtu komandanti i KFOR-it, natën kritike të 29 nëntorit tha se ai ishte në koordinim të ngushtë me homologët lokalë dhe ata ndërkombëtarë për menaxhim të situatës.
“Dua të them fillimisht se KFOR-i është i pozicionuar për të monitoruar dhe menaxhuar çdo zhvillim të situatës së sigurisë lokale”.
“Ne zbuluam incidentin menjëherë pasi ndodhi. Ne reaguam shpejt, duke siguruar zonën dhe duke u ofruar forma të ndryshme asistence, institucioneve në Kosovë. Dua të theksoj edhe një herë se NATO dhe KFOR-i dënojnë fuqimisht këtë sulm, dhe kjo është arsyeja pse është e domosdoshme që të identifikohen ata që janë përgjegjës, dhe të sillen para drejtësisë”, tha Barduani, për Klan Kosova.
“KFOR-i dislokoi njësi për të siguruar zonën e kanalit të dëmtuar të ujit, ofruam mbështetje logjistike, si dhe ekspertizën tonë për asgjësimin e lëndëve plasëse. KFOR-i veproi me shpejtësi për ta stabilizuar situatën, duke ofruar sigurinë e zonës së prekur, teksa koordinoheshim ngushtë me homologët lokalë dhe ndërkombëtarë”, tha komandanti i KFOR-it.